Rubin për Thaçin: Ishte e qartë që kishte epror diku

James Rubin gjatë dëshmisë së tij në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të martën deklaroi se gjatë periudhës së Konferencës së Rambujesë kur i ra më shumë që të takohej me Thaçin, e dinte që ky i fundit kishte epror.
Ndër tjera James Rubin tha se me kë konsultohej dhe çfarë bisedonin, ai nuk ia thoshte asnjëherë, por që i thoshte se duhej ta bënte këtë.
“Hashim Thaçi asnjëherë nuk më ka thënë fjalë për fjalë se çfarë duhet të bënte apo saktësisht se me cilin duhej të konsultohej gjatë periudhës kur më thoshte se i duhej të konsultohej. Ai thjesht, në atëkohë sapo ishim njohur, sapo e kisha takuar atë, e kisha njohur në Rambuje dhe po e njihja më shumë. Ai anglisht nuk fliste. Nuk ishte shumë i hapur me mua dhe as unë me atë. Ne, thjesht po njiheshim me njëri-tjetrin”, tha Rubin.
Diplomati amerikan tha se Thaçi ishte i vagullt në mënyrën se si shprehej, por dihej se kishte epror.