Rusi i shpallur non-grata në Prishtinë, Policia: E pavërtetë

Policia e Kosovës ka demantuar shkrimet dhe publikimet e bëra në disa media në Kosovë dhe Shqipëri, për lajmin se rusi i shpallur non-grata nga Kosova shfaqet mes Prishtinës.
Sipas Policisë, “këto informacione janë të pavërteta dhe dy personat Alexey Krivosheev dhe Denis Vengerskii shtetas rus, janë shpallur non-grata nga institucionet shtetërore të Kosovës me datë 22.10.2021, dhe bazuar në informacionet zyrtare të Policisë së Kosovës të evidentuara në sistemin kufitar, të njëjtit me datë 23.10.2021 (në ora 14:46 dhe 14:50), përmes pikës kufitare në Merdare kanë lëshuar territorin e Republikës së Kosovës. Vlen të potencohet se të njëjtit, nga data 23.10.2021, nuk kanë hyrë në Republikën e Kosovës”.
Policia tutje ka sqaruar se personi, fotoja e së cilit është publikuar në media, është person tjetër (V.L.) i njohur për institucionet e sigurisë në Kosovë, si punonjës në zyrën ruse në Kosovë.
Policia e Kosovës ka thënë se do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj, në zbatimin e ligjeve dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend.
Me urdhër të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Kosovë, janë shpallur të padëshirueshëm në territorin e Kosovës, për shkak të aktivitetit të tyre të dëmshëm, që ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës.
Presidentja Vjosa Osmani, deklaroi se institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura në luftën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë rrënimin e arritjeve tona dhe të SHBA-ve, NATO-s, dhe BE-së./21Media

Back to top button