Rusia po dërgon pajisjet nga Bjellorusia për të rritur sulmin në Ukrainën lindore
Në përditësimin e fundit të inteligjencës sot(17 prill) Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se forcat ruse në Ukrainë po drejtonin furnizimet e siguruara nga aleati i saj Bjellorusia drejt rajonit lindor të vendit, ku sulmet janë intensifikuar.
“Forcat ruse vazhdojnë të rivendosin pajisjet luftarake dhe mbështetëse nga Bjellorusia drejt Ukrainës lindore. Kjo përfshin vendndodhje afër Kharkiv dhe Severdonetsk. Artileria ruse vazhdon të godasë pozicionet ukrainase në të gjithë lindjen e vendit ku Rusia planifikon të rinovojë aktivitetin e saj sulmues. Megjithëse fokusi operacional i Rusisë është zhvendosur në Ukrainën lindore, objektivi përfundimtar i Rusisë mbetet i njëjtë. Ajo është e përkushtuar të detyrojë Ukrainën të braktisë orientimin e saj euroatlantik dhe të pohojë dominimin e saj rajonal”, thuhet në raport.
Marrëdhëniet Rusi-Bjellorusi: Bjellorusia është përdorur si trampolinë për shumë prej operacioneve ajrore të Rusisë në Ukrainë, sipas inteligjencës së mbledhur nga avionët e vëzhgimit të NATO-s.
Ushtria ukrainase ka thënë se ka rrëzuar disa raketa të lëshuara drejt territorit të saj nga Bjellorusia. Pasi Rusia dështoi të fitonte terrenin që donte rreth kryeqytetit ukrainas Kiev, forcat u tërhoqën përsëri në Bjellorusi për t’u rigrupuar dhe riorganizuar.
SHBA ka dënuar Minskun me sanksione që synojnë firmat bjelloruse të mbrojtjes, ministrin e mbrojtjes të vendit dhe kanë pezulluar marrëdhëniet normale tregtare me vendin.
Por presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, një aleat i Putinit i mbështetur nga Kremlini, nuk ka treguar asnjë pendim për rolin e tij.
“Ne nuk e filluam këtë luftë, ndërgjegjja jonë është e pastër. Më vjen mirë që filloi”, u kishte thënë ai gazetarëve./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?