Rusia vazhdon të rrisë numrin e diplomatëve në Serbi

Rusia vazhdoi të rrisë numrin e diplomatëve të saj në Serbi, vendi i rrallë evropian që nuk vendosi sanksione ndaj Kremlinit dhe një nga të paktët në Evropë që nuk kërkoi reduktim të fushëveprimit të misionit rus pas pushtimit të Ukrainës.

Lista diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme tregon se dy diplomatë të tjerë rusë kanë mbërritur në Serbi gjatë muajit mars.

Në fillim të marsit, misioni i Rusisë në Serbi kishte 62 diplomatë, ndërkaq më 31 mars ishin 64 të tillë.

Në fillim të marsit, Radio Evropa e Lirë (REL) njoftoi se Rusia, një vit pas pushtimit në Ukrainë, kishte rritur praninë e saj diplomatike në Serbi, pas valës së dëbimeve të diplomatëve nga BE-ja vitin e kaluar.

Me dy ardhjet e reja në mars, numri i diplomatëve rusë në Serbi, që nga shkurti i vitit të kaluar, ka shënuar dhjetë më shumë.

Hulumtimi, në fillim të marsit, tregoi gjithashtu se të paktën tre diplomatë të dëbuar, tani janë përfaqësues të akredituar rusë në Serbi, duke përfshirë dy prej tyre që kanë lidhje me shërbimet e inteligjencës ruse.

Sipas listës së fundit të publikuar nga Ministria e Jashtme, nga 31 marsi, ata ende janë të pranishëm në misionin rus në Beograd.

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it lidhur me ngritjen e re të numrit të diplomatëve.

Pyetjeve nuk u janë përgjigjur as Qeveria e Serbisë dhe as Ambasada ruse në Serbi.
Nikolla Lluniq, ish-diplomat ushtarak i Serbisë, i cili tani kryeson Këshillin joqeveritar për Politikat Strategjike me qendër në Beograd, tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se injorimi i rritjes së numrit të diplomatëve rusë, sigurisht që do të shkaktojë mosbesim në vendet në rajon dhe në Evropë.

“Por, edhe do të rrisë rrezikun e sigurisë, gjë që Serbisë nuk i nevojitet në këtë moment”, shtoi Lluniq.

Gjatë muajit mars, siç shihet nga lista diplomatike që evidentohet nga Serbia, janë akredituar dy atashetë e rinj në ambasadën ruse, Vladimir Surov dhe Roman Shelkovskiy.

Ambasada ruse dhe autoritetet në Serbi nuk iu përgjigjën pyetjes së REL-it për punët e mëparshme të Surovit dhe Shelkovskiyt.

Nga të dhënat e qasshme publike, mund të shihet se Vladimir Surov ishte pjesë e misionit të përhershëm të Rusisë në Kombet e Bashkuara në vitin 2006 dhe 2009.

Emri i Surovit ishte gjithashtu në listën e misionit rus në Kopenhagë, në vitin 2015.
Emri i Roman Shelkovskiyt ishte i renditur në listën diplomatike të Italisë, në vitin 2021, por në mars të vitit 2022 nuk ishte më aty.

Në prill të vitit 2022, Italia dëboi 30 diplomatë rusë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Nuk dihet saktësisht se kur Shelkovskiy u largua nga Italia apo vendndodhja e tij para se të mbërrinte në Serbi.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, qindra diplomatë rusë u dëbuan nga vendet evropiane ose u futën në “listë të zezë”.

Si arsye për dëbim, disa vende përmendën spiunazhin e supozuar.

 

Back to top button