Sadiku pas zgjedhjes së kryetarëve serb: Shpresoj që të hiqen sanksionet ndaj Kosovës nga BE

Ish asambleisti i komunës së Mitrovicës së veriut, Skender Sadiku, pas zgjedhjes e katër kryetarëve serb në komunat e veriut, shpreson se nga tani BE do të reflektoj në aspektin e hiqjes së sanksioneve ndaj Kosovës.
“Shpresoj që tani do të reflektoj, bashkësia evropiane (BE) dhe të na hiqen sanksionet, kurse këtu sillemi në normalitet, shpresoj që po hymë në cikël demokratik”, tha Sadiku për RTV21.
Për ditën e sotme, ai tha se ka qenë normale, teksa shtoi se betimi i kryetarëve me shumicë serbe është një test demokracie.
“Shpresoj që leksionin, komuniteti me shumicë serbe që është në katër komunat e kanë marrë vesh. Sot ishte një ditë normale, ditë me të cilën komunat me shumicë serbe kanë bërë betimin, kryetarët e komunave. Kjo është një test demokracie, që e kemi kaluar me sukses, por e mira e kësaj është që ndoshta edhe me këto betime ka qenë e lidhur edhe sanksionet për këtë Republikë tonë të vogël”, u shpreh ai.
Ish asambleisti theksoi se kryetari i zgjedhur i Mitrovicës së Veriut nga Lista Serbe, duhet të brengoset edhe për shqiptarët.
“Kryetari dhe secili prej tyre që zgjedhet në këtë qytet, është kryetar i të gjithëve, edhe ky kryetari i Listës Serbe, me vullnetin e qytetarëve është i zgjedhur, edhe ai duhet të brengoset për ne”, tha ai./21Media