Sarrazin për Asociacionin: Mund të mos ketë ende marrëveshje, por ka koncepte

Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se do të duhet ende kohë që Kosova dhe Serbia të bien dakord për çështjen e Asociacionit, mirëpo, sipas tij, përpilimi i aneksit për zbatimin e marrëveshjes është hap i rëndësishëm dhe nëse palët vërtetë duan zgjidhje, atëherë, siç thotë ai, mund të arrihet shumë në këtë proces.

“Mund të mos ketë ende ndonjë marrëveshje mes dy palëve për çështjen e Asociacionit. Por të paktën për herë të parë ka koncepte në tryezë se si mund të pajtohen interesat serbe dhe aftësia e Kosovës për të vepruar si shtet. Deri më tani, ky ka qenë gjithmonë vetëm një debat teorik. Nëse arrijmë të futemi në një proces pozitiv dhe të ndërtojmë besim të ndërsjellë se ne vërtet duam zgjidhje, atëherë mund të arrijmë shumë larg”, ka thënë Sarrazin për ”Die Welt”.

Sarrazin theksoi se nëse tani palët do të përkushtohen vërtet për zbatimin e marrëveshjes, atëherë “do të kishim mundësinë historike për të bërë përparim të rëndësishëm”.

Ai po ashtu foli edhe për ndikimin rus në Kosovë. Sipas tij, Rusia nuk ka interes për paqe. Ai madje tha se ka interpretime të ndryshme në lidhje me ndikimin rus në këtë pjesë të Ballkanit.

Sarrazin tha se njëra nga to është se ndikimi rus në Mitrovicën e Veriut vjen direkt nga Moska, gjë që, sipas tij, është mirë për serbët, të cilët mund të justifikohen se ata nuk kanë gisht në destabilizimin e veriut, megjithatë, sipas tij, nuk mund të vërtetohet me siguri se sa ndikim ka Rusia në Kosovë.

“Është relativisht e qartë se Rusia nuk ka interes për paqe. Jo për të mbështetur Serbinë, por thjesht për ta mbajtur BE-në të zënë me konfliktin dhe për të minuar të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor. Në të njëjtën kohë, duhet pasur kujdes me interpretimin: Nga njëra anë, dëgjojmë se ndikimi rus, veçanërisht në Mitrovicën e Veriut, tani vjen drejtpërdrejt nga Moska, pra jo më nëpërmjet palëve të treta. Nga ana tjetër, kjo mund të jetë edhe një justifikim i mirë për qeverinë serbe, sepse ajo pastaj mund të thotë: Ne nuk kemi të bëjmë asgjë me të, ishin rusët. Është pak si macja e Shrodingerit. Rusia është tashmë e përfshirë. Por sa shumë apo sa pak nuk mund ta vërtetosh në fund të fundit”, ka thënë Sarrazin për “Die Welt”,

Back to top button