SBASHK-u proteston para Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) do të mbajë nesër protestë para Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë. Sipas SBASHK-ut, ky vendim erdhi si shkak i paralizimit të Këshillit Ekonomik-Social, ndërprerjes së kontratës kolektive dhe mungesës së dialogut social.
Në një konferencë për media të martën Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha se nëse Qeveria dhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci nuk reflektojnë mbi kërkesat e tyre, do të hyjnë në grevë të përgjithshme.
“Qasja e tyre dhe injorimi i tyre i vazhdueshëm dolli vendimin për veprime sindikale. Fillimisht u vendos që me 4 dhjetor të bëhet protestë dhe presim që protesta para MASHTI-t dhe qeverisë të jenë mbi 1500 pjesëmarrës.
Nëse Qeveria e sidomos Ministrja Nagavci nuk reflektojnë do të analizojmë situatën dhe do të marrin vendime duke mos e përjashtuar grevën e përgjithshme”, tha Jasharaj.
“Kurti dhe ministrat e tij premtuan shumë, deklaruan se do të respektojnë zërin sindikal dhe fuqizimin e sindikatave, por kanë bërë të kundërtën gjatë këtyre vite, paralizuan dialogun e mirëfilltë duke mos e nënshkruar marrëveshjen kolektive, duke ua mohuar të punësuarve në sektorin publik dhe privat mundësinë për të ruajtur të drejtat në punë dhe për të arritur disa benefite si të gjithë kolegët e tyre kudo në vendet e Ballkanit, e Evropës”., tha ai.