SBASHK-u thotë se greva vazhdon

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës sot ka bërë të ditur se greva në arsim të vazhdojë.
SBASHK ka bërë të ditur se në orët e pasdites të së dielës SBASHK-u ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm me kryetarët e Kuvendeve Sindikale Komunale të Arsimit Parauniversitar dhe të Universiteteve për të debatuar lidhur me takimin e kryetarit të BSPK-së Atdhe Hykolli që e ka zhvilluar në mbrëmjen e së shtunës me Kryeministrin Albin Kurti.
“Kryetari Hykolli ka informuar pjesëmarrësit e këtij takimi për ato që janë debatuar në këtë takim e pastaj është hapur debat konstruktiv lidhur me këtë. Kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve kanë përgëzuar kryetarin Hykolli për përpjekjet që të krijohen kushtet për dialog mes Qeverisë dhe Këshillit Grevist të BSPK-së duke uruar që ky dialog edhe të ndodh me qëllim që të debatohen të gjitha çështjet dhe të arrihet marrëveshje e pranueshme.”, ka bërë të ditur SBASHK, me ç’rast ka theksuar se qëndrim unanim i pjesëmarrësve të këtij takimi ka qenë që deri sa Qeveria nuk ulet në dialog me Këshillin Grevist të BSPK-së, që është organ legjitim për të menaxhuar grevën dhe për të zhvilluar dialog me palën tjetër dhe gjersa Qeveria nuk realizon kërkesat legjitime të grevistëve greva do të vazhdojë.
“Ata rikujtuan se greva erdhi si pasojë e mungesës së vullnetit të Qeverisë për dialog dhe se greva po ndodh duke u respektuar zëri dhe vullneti i anëtarësisë, e cila edhe do të vendos çka tutje.”, ka shtuar SBASHK.
Nga data 25 gusht, shkollat janë në grevë në të gjithë Kosovën. Sindikatat po kërkojnë nga 100 euro deri në miratimin e Ligjit të Pagave./21Media

Back to top button