​SBASHK-u thotë se mund të ketë grevë në shtator

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka paralajmëruar mundësinë e një grevë të përgjithshme në fillim të vitit të ri shkollor në shtator, nëse qeveria e re që do të formohet pas zgjedhjeve vazhdon me të njëjtën qasje të përjashtimit të dialogut me sindikatat, siç ka bërë Qeveria Kurti 2.

Në një konferencë për media pas përfundimit të kongresit të nëntë të jashtëzakonshëm, i mbajtur online, Jasharaj tha se situata politike dhe vakumi institucional po shkaktojnë pasiguri të madhe në sektorin e arsimit, raporton KosovaPress.

“Kongresi i nëntë, ishte i suksesshëm dhe të gjithë delegatët prezentë shprehën pakënaqësitë dhe shqetësimin për këtë ngërç institucional, duke kërkuar fillimisht nga partia që doli e para të bëjë të mundurën të pamundur në mënyrë që të hap rrugë që të kemi institucione. Në këtë mënyrë shtatori do të na presë dhe mund të kemi telashe, ngase nuk kemi edhe adresa të sakta kujt do t’i drejtohemi për kërkesa legjitime të anëtarësisë sonë”, tha Jasharaj.

Ai akuzoi qeverinë në detyrë për mungesë totale të gatishmërisë për dialog me sindikatat gjatë katër vjetëve të fundit, duke veçuar si problematik edhe trajtimin e çështjes së kontratës kolektive.

“Një çështje që mund të krijojë probleme edhe në shtator është çështja e mungesës së gatishmërisë së vazhdueshme të zonjës Arbërie Nagavci edhe kur ishte ministre dhe tani në shkuarje rreth kontratës kolektive. Qeveria në shkuarje po sjell vendime të ndryshme, të cilat kanë implikime të mëdha buxhetore dhe nuk do të ishte keq që Nagavci të nënshkruante kontratën e cila i është dorëzuar që në vitin e kaluar”, tha Jasharaj.

Ndërsa ka theksuar se SBASHK-u ka bërë edhe disa ndryshime të statutit në mënyrë që t’i përshtatemi sa më shumë statutit të internacionales botërore të arsimit.

“Urojmë që qeveria e re e formuar të mos jetë me një qasje të njëjtë, por t’i jep hapësirë dialogut…Kemi një vërejtje të madhe për qeverinë, ngase edhe pse Kushtetuesja kishte vendosur që e padrejta e bërë që në vend të 0.5 për vitet e shërbimit, ata e kishin zvogëluar në 0.25, Kushtetuesja i kishte obliguar të kthejë 0.5 por nuk e kanë bërë. Qeveria Kurti i beson dhe e do Kushtetuesen kur i duhet, ndërsa e kundërshton dhe nuk realizon kur nuk i pëlqejnë vendimet e saj. Kongresi ka autorizuar kryesinë dhe këshillin drejtues që varësisht nga situatat e krijuara të vendoset në të ardhmen duke mos përjashtuar edhe veprimet sindikale që nënkuptojnë protesta, por duke mos e mohuar as grevën e përgjithshme në qoftë se krijohen institucionet dhe ato vazhdojnë të njëjtën veprim siç ka bërë Qeveria Kurti 2 duke mohuar çdo mundësi të dialogut. Por nëse dialogu do të mungojë me institucionet e reja të krijuara, atëherë ne nuk i ikim vendimit të kongresit dhe do të mendojmë çka tutje, duke mos e përjashtuar edhe grevën e përgjithshme që mund të ndodh në shtator në qoftë se institucionet e krijuara do të vazhdojnë të njëjtin veprim, duke mohuar dialogun, duke shkelur kërkesat e sindikatës”, ka nënvizuar Jasharaj.

Në fund, Jasharaj foli edhe për rezultatet në testin PISA, duke e vendosur përgjegjësinë kryesore mbi institucionet shtetërore.

“Asnjëherë nuk jemi ndier mirë me rezultatet e PISA, por për rezultatet e PISA dhe për suksesin në arsimin e Kosovës kryekëput janë përgjegjës institucionet, në radhë të parë MASHT, i cili duhet të ketë politike konkrete, të na thërrasë të gjithëve dhe të japim kontributin tonë. Por me kushtet që punojnë punëtorët e arsimit, me shkumës dhe shpuzë nuk mund të arrihen rezultatet maksimale në këtë shekull. Shkolla jonë nuk është në hap me kohën, ka mbetur mbrapa”, ka thënë Jasharaj.

Back to top button