Scholz i thotë presidentit iranian të parandalojë përshkallëzimin në Lindjen e Mesme

Kancelari gjerman Olaf Scholz i bëri sot thirrje presidentit të ri iranian Massoud Pezeshkian që të parandalojë përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme.
“Spiralja e dhunës në Lindjen e Mesme tani duhet të ndalet: çdo gjë tjetër do të përfaqësonte një rrezik të madh për shtetet dhe popujt në rajon,” tha Scholz, sipas një njoftimi për shtyp nga zyra e kancelarit.
Gjatë fundjavës, Scholz diskutoi edhe me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke shprehur shqetësimin e tij për një luftë të mundshme rajonale në Lindjen e Mesme.
Scholz theksoi nevojën për një armëpushim në Gaza dhe kthimin e pengjeve të rrëmbyer nga Hamasi.
Frika nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme u rrit pasi komandanti i lëvizjes libaneze të Hezbollahut, Fuad Shukr, u vra në Bejrut në fund të korrikut dhe lideri politik i Hamasit, Ismail Haniya, u vra në Teheran.
Irani dhe Hezbollahu kanë njoftuar se do të hakmerren për ato sulme, por kjo ende nuk është realizuar. Ndërkohë, vendet e botës u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre që të largohen menjëherë nga Libani dhe SHBA, aleati më i rëndësishëm i Izraelit, ka rritur praninë e saj ushtarake në rajon.
Scholz, kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron i bënë thirrje Iranit dhe aleatëve të tij “të mos rrezikojnë mundësinë e një marrëveshjeje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve” në Gaza.
“Ne, udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, përshëndesim punën e palodhshme të partnerëve tanë në Katar, Egjipt dhe Shtetet e Bashkuara drejt marrëveshjes së armëpushimit dhe lirimit të pengjeve”, shkruan ata.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?