Scholz në samitin e Berlinit: Duhet dinamikë e re në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

(Lajm i përditësuar)


Liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruajnë marrëveshje të reja në Berlin

Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan në samitin e Procesit të Berlinit një plan të ri për tregun e përbashkët rajonal, si dhe një marrëveshje të re për lëvizshmërinë, e cila përfshin qasjen në arsimin e lartë.

Nën udhëheqjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, samiti u mbajt të hënën në Berlin.

Të pranishëm ishin edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe përfaqësues të vendeve partnere.

Duke paralajmëruar nënshkrimin e marrëveshjeve, Scholz tha se ato do ta lehtësojnë jetën e njerëzve…


Kurti në Berlin kërkon që Kosovës t’i jepet statusi i kandidatit për BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, i cili po mbahet në Berlin nën drejtimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz.

Kurti ka shtuar se gjatë një dekade, Procesi i Berlinit ka luajtur rol kyç në afrimin e rajonit tonë dhe në avancimin drejt BE-së.

“Pavarësisht sfidave të brendshme dhe eksternale, Procesi i Berlinit mbetet një forcë nxitëse për integrimin evropian dhe lidhja që mban të lidhur Gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor. Kjo është ajo që e njohim dhe e festojmë sot këtu në Berlin”, u shpreh Kurti.

Ai u shpreh se Kosova ka qenë dhe do të jetë një zë i arsyes dhe një mbështetje në këtë Proces.

“Pas dy muajsh do të shënojmë dy vjet prej kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE. Ndërsa ne deklarojmë se zgjerimi është përsëri në agjendë, ka ardhur koha që Kosova të marrë statusin zyrtar të kandidatit. Në 3.5 vjetët e fundit, kemi shënuar rritje të jashtëzakonshme ekonomike, progresin demokratik dhe qëndrueshmërinë institucionale, duke menaxhuar suksesshëm disa kërcënime serioze të sigurisë. Njohja e përparimit dhe të arriturave të Kosovës po ashtu afirmon përkushtimin e BE-së ndaj zgjerimit dhe vlerave të saj”, tha Kurti.


Kurti afër Ramës në foton e përbashkët të Samitit të Berlinit 

Në Berlin të Gjermanisë po i zhvillon punimet Samiti i Procesit të Berlinit.

Ky samit ku është i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u hap nga kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Tashmë është realizuar edhe fotoja e përbashkët e pjesëmarrësve të këtij takimi.

Në të kryeministri kosovar shihet afër homologut të tij shqiptar, Edi Rama.


Kurti paralajmëron për rritjen e ndikimit të Kinës, nëpërmjet Serbisë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në adresimin e tij në samitin e Procesit të Berlinit ka paralajmëruar edhe për rritjen e ndikimit të Kinës në rajon, duke përmendur nënshkrimin e marrëveshjes për tregti të lirë mes Kinës e Serbisë.

“Lidhja është thelbësore për Procesin e Berlinit, megjithatë ne duhet të ruhemi nga ndikimi i huaj, veçanërisht nga Kina, e cila ka investuar shumë në fqinjin tonë verior, duke nënshkruar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë dhe një angazhim për të ardhmen e përbashkët me Kinën. BE-ja duhet të sigurojë që fondet e BE-së janë të lidhura me vlerat e BE-së – është Procesi i Berlinit ai që e afron rajonin tonë më afër BE-së, jo një ‘Proces i Pekinit’ që çon në BRICS”, ka deklaruar Kurti.

“Kosova ka qenë dhe do të jetë zë i arsyes dhe flamurtar në këtë proces, por ne nuk duhet të qëndrojmë vetëm në shtyrjen dhe mbrojtjen e vlerave themelore të BE-së”, ka shtuar Kurti.


Kurti në Berlin: Kosova do të lejojë lëvizjen e lirë për qytetarët e Bosnjës nga 1 janari

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Kosova, njëanshëm, do të lejojë lëvizjen e lirë për të gjithë poseduesit e letërnjoftimeve të Bosnje e Herecegovinës.

Përkundër marrëveshjeve të arritura, qytetarët e të dyja vendeve, aktualisht, duhet të pajisjen me viza për të lëvizur në vendet respektive.

Duke folur në samitin e Procesit të Berlinit, Kurti tha se ky projekt ka sjellë përparim të rëndësishëm, por se duhen “edhe më shumë veprime”.

“Ndërsa entiteti i Republikës Sërpska refuzon ratifikimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë me letërnjoftime – të cilën vendi im ka qenë i pari në rajon që e ka ratifikuar në Parlament – unë kam vendosur t’i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës, në mënyrë të njëanshme, do të lejojë lëvizjen e lirë për mbajtësit e letërnjoftimeve të Bosnje e Hercegovinës”, tha Kurti.

“Lidhshmëria është thelbësore për Procesin e Berlinit”, tha ai.

I lansuar në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel, ky proces shënon sivjet dhjetë vjet.

Synimi i samiteve të tij, të cilat mbahen çdo vit, është që gradualisht ta afrojnë Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut më pranë BE-së.

Nga gjashtë shtetet e rajonit, vetëm Kosova nuk është kandidate zyrtare për anëtarësim në BE.


Scholz në samitin e Berlinit: Duhet dinamikë e re në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen më aktivisht në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, duke u zotuar se do të punojë edhe personalisht me të dyja vendet.

Scholz i bëri komentet në hapje të samitit të Procesit të Berlinit, ku marrin pjesë përfaqësues të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe të vendeve partnere.

“Na duhet një dinamikë e re… do t’u thosha miqve nga Beogradi dhe Prishtina sot: Ju lutem mos lejoni që e kaluara t’ju frenojë në rrugën drejt një të ardhmeje paqësore dhe prosperuese. Jam i bindur se kjo e ardhme gjendet në BE dhe ekziston vetëm një rrugë që çon atje: zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura”, tha Scholz gjatë fjalës hyrëse.

“Unë do të vazhdoj të angazhohem personalisht me të dyja vendet, për t’u siguruar se ato e shfrytëzojnë këtë mundësi”, shtoi ai, raporton rel.

I lansuar në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel, Procesi i Berlinit shënon sivjet dhjetë vjet.

Synimi i samiteve të tij, të cilat mbahen çdo vit, është që gradualisht ta afrojnë Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut më pranë BE-së.

Nga gjashtë shtetet e rajonit, vetëm Kosova nuk është kandidate zyrtare për anëtarësim në BE.

Duke folur për rëndësinë e Procesit të Berlinit, Scholz tha se ai “është instrumenti më i mirë jo vetëm për bashkëpunimin rajonal, por edhe për përshpejtimin e integrimit evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

“Bashkimi Evropian është i kompletuar me Ballkanin Perëndimor si pjesë të tijën”, tha ai.

Scholz, po ashtu, paralajmëroi nënshkrimin e dy dokumenteve të reja në samitin e sotëm, që, siç tha, do ta bëjnë jetën e njerëzve më të lehtë.

I pari, sipas tij, ka të bëjë me një plan të ri veprimi për tregun e përbashkët rajonal, ndërsa i dyti ne një marrëveshje të re për lëvizjen, që përfshin edhe qasjen në arsimin e lartë.

“Një dekadë vullnet, punë e angazhim për ta afruar rajonin tonë më shumë drejt BE-së”, shkroi në Facebook kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili është i pranishëm në samit.

Përgjatë viteve, në Procesin e Berlinit janë bërë disa marrëveshje dhe deklarata, por shumë prej tyre kanë mbetur pa u zbatuar.


Drejt një të ardhmeje ku gjashtëshja ballkanike është pjesë e BE-së”, Von der Leyen flet nga takimi i Procesit të Berlinit

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në 10 vjetorin e iniciativës së Procesit të Berlinit ka deklaruar se është mirë që ndodhen në Berlin me partnerët e Ballkanit Perëndimor.

“Është 10 vjetori i Procesit të Berlinit. Kështu që është mirë të jemi në Berlin me partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor. Të shikojmë pas në arritjet tona, por veçanërisht të shohim përpara. Drejt një të ardhmeje ku të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Unionit tonë”, shkruan ajo në X, transmeton Klankosova.tv

Në shënimin e këtij përvjetori jubilar të Procesit të Berlinit po merr pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.

Atje, shefi i ekzekutivit kosovar është pritur nga kancelari gjerman Olaf Scholz.

Ndërkaq, në kuadër të takimit të sotëm në Gjermani, pritet miratimi i planit të ri për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe një marrëveshje për lehtësimin e studimeve në vendet e rajonit.

Back to top button