Scholz premton angazhim të fuqishëm për Maqedoninë

Premtime se do të angazhohet fuqishëm që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e BE-së, sidomos Maqedonia e Veriut e cila i ka plotësuar të gjitha kushtet për nisje të negociatave aderuese. Kjo është mbështetja që morën nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë vizitës së tij të sotme në Maqedoni. Para 20 vjetëve, vendeve të Ballkanit Perëndimor u ishte premtuar perspektivë evropiane dhe tani është koha që pas këtij premtimi të vijojnë edhe vepra konkrete, theksoi Scholz.
“Do të doja që në fillim të them shumë qartë se Gjermania është serioze për eurointegrimet e vendeve të rajonit dhe kjo veçanërisht vlen për Maqedoninë e Veriut. BE-ja, sidomos ndaj RMV-së ka dhënë premtim, ndërsa ky vend i plotësoi të gjitha parakushtet për t’i filluar bisedimet aderuese. Tani duhet të angazhohemi që kjo të realizohet. Bisedimet aderuese që ishin premtuar para dy vjetëve tani duhet të fillojnë, e unë do të angazhohem për këtë”, tha Olaf Scholz, kancelari i Gjermanisë.
Edhe kryeministri Kovaçevski, theksoi se pret që BE-ja t’i qëndrojë fjalës, kurse mbështetjen që e morëm nga Gjermania është tejet e madhe. Megjithatë, shton se ne nuk mund vazhdimisht të shpresojmë se do t’i hapim negociatat, kurse Bullgaria të vazhdojë t’i mbajë peng Maqedoninë dhe Shqipërinë në rrugën eurointegruese.
“Nuk mund të mbahemi peng vazhdimisht në samitet e BE-së se a do të ketë datë apo jo. “Nxehja” e pritshmërive siç ishte në të kaluarën lidhur me atë se çka do të ndodhë në ndonjë samit, nuk varet nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Kjo, për momentin, siç po shohim varet vetëm nga një vend anëtar i BE-së, i cili dy vendet-kandidate, RMV-në dhe Shqipërinë i mban peng në rrugën e tyre drejt integrimit në BE”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Pas vizitës në Shkup, kancelari gjerman, Scholz udhëtoi në Sofje, ku këtë pasdite realizoi takim me kryeministrin bullgar Kiril Petkov dhe Presidentin, Rumen Radev./21Media

Back to top button