Seancë e jashtëzakonshme për tarifën

Shqyrtohet vendimi i Qeverisë për heqjen e tarifës ndaj Serbisë

Kuvendi i Kosovës mban sot seancë të jashtëzakonshme, pas paralajmërimeve të kryeministrit Albin Kurti për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj mallrave serbe e boshnjake.

Seanca do të fillojë në ora 11:00, me kërkesë të 41 deputetëve të opozitës.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës javën e kaluar konstatoi se kërkesa e deputetëve për seancë, i plotëson kushtet formale-juridike, andaj ajo do të mbahet sipas kërkesës së deputetëve nënshkrues.

Kryeministri Kurti ka paralajmëruar se më 15 mars do ta heqë tarifën ndaj lëndës së parë nga Bosnja e Serbia.

“Nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në këtë fushatë miqësore, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, do ta heqë tërësisht tarifën për një periudhë 90 ditore. Nëse Serbia nuk e përfill qëndrimin e Kosovës dhe nuk fillon heqjen e barrierave, me fillim nga data 1 prill do të nisë zbatimi i reciprocitetit, njëherë me fushën e tregtisë e pastaj në fushën ekonomisë. Nëse pala serbe nuk reflekton as pas 90 ditësh për heqjen e tarifës për lëndën e parë, atëherë Qeveria nga 15 qershori do ta kthejë tarifën deri në zbatimin e reciprocitetit”, është shprehur Kurti.

Tarifa ndaj mallrave serbe u vendos në nëntor 2018 nga ish-Qeveria Haradinaj. Ky i fundit ka bërë thirrje disa herë që taksa të mos hiqet deri në njohjen e Kosovës shtet nga Serbia.

RTV21 do ta transmetojë drejtpërdrejt këtë seancë në kanalin kryesor dhe në portalin www.rtv21.tv./21Media

Back to top button