Sefaj: Do të dalim në protestë, Albini nuk na i paguan faturat e rrymës

(Lajm i përditësuar)
Sefaj: Do të dalim në protestë, Albini, Ramushi, Lumiri nuk na i paguajnë faturat e rrymës
Juristi Ali Sefaj ka paralajmëruar presion qytetar dhe dalje në rrugë sapo të konstituohet Kuvendi i Kosovës, duke theksuar se qytetarët janë të lodhur nga rritjet e vazhdueshme të çmimit të energjisë. Ai në ”Click” të RTV21 tha se për më shumë se një vit nuk ka pasur mekanizma institucionalë për të adresuar problemin dhe se kërkesa për llogaridhënie do të vazhdojë ndaj çdo qeverie në pushtet.
“Në momentin që të konstituohet Kuvendi, ne do të bëjmë presion dhe do të dalim në rrugë. Jo vetëm për rritjen e çmimit, por sepse qytetari i Kosovës është lodhur për më shumë se një vit me këto rritje. Ne nuk kemi pasur mekanizma për ta adresuar problemin dhe i ftoj qytetarët të mos heqin dorë. Kërkesa për llogaridhënie ndaj atyre që janë mandatuar bie mbi secilën qeveri. Faturat nuk do të na i paguajë as Albini, as Lumiri, as Ramushi e as Bedriu,” tha Ali Sefaj në emisionin “Click”
Sefaj paralajmëron: Mafia energjetike po shfrytëzon qytetarët e Kosovës
Juristi Ali Sefaj akuzon se sektorin energjetik të Kosovës e ka kapur një “mafie energjetike” që grumbullon miliona nga qytetarët. Ai thekson se keqmenaxhimi dhe vendimet e gabuara janë pjesë e një plani të qëllimshëm që dëmton sistemin energjetik.
“Pas të gjitha këtyre dështimeve ka qenë një planifikim – planifikimi i mafisë energjetike që grumbullon miliona mbi kurrizin e qytetarëve të Kosovës. Nuk është e mundur që të gjitha këto të ndodhin pa qëllim. Renovimi i blloqeve dhe menaxhimi i KEK-ut për 4 vite ka mbetur me ushtures detyre, dhe të gjitha veprimet e marra kanë qenë në dëm të sektorit energjetik. Ata që janë në ZRRE kanë ruajtur vendet e veta, jo interesin publik,” tha Sefaj.
Sefaj: Energjia është jetike, keqmenaxhimi po e vështirëson jetën e qytetarëve
Juristi Ali Sefaj në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se qytetarët e Kosovës po përballen me barrë të rëndë si pasojë e mungesës së planifikimit dhe keqmenaxhimit institucional, duke theksuar se energjia elektrike është nevoja më jetike për vendin.
Tutje Sefaj ka theksuar se kur bëhet fjalë për nevoja jetike, çmimi nuk është faktori kryesor, por sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm.
“Qytetarët e Kosovës janë rënduar edhe si pasojë e mungesës së planifikimit dhe keqmenaxhimit. Kur sot kemi nevojë për diçka që është jetike, nuk shikohet sa është çmimi, por se si do të furnizohemi,” tha Sefaj.
Ai shtoi se nuk ka asnjë shërbim më jetik sesa energjia elektrike në Republikën e Kosovës, duke kërkuar që dikush të mbajë përgjegjësi për situatën e krijuar.
“Nuk ka asgjë më jetike se rryma në Republikën e Kosovës. Për këtë gjendje, dikush duhet të marrë përgjegjësi,” përfundoi Sefaj./RTV21/21Media