Sekuestrohen rreth 50 kg drogë, arrestohen 4 persona

Policia sot ka informuar se ka sekuestruar në Elbasan 48 kg lëndë narkotike, e dyshuar cannabis sativa dhe janë arrestuar në flagrancë katër shtetasit që transportonin lëndën narkotike, me qëllim shitjen e saj.
“Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për transportimin e një sasie lënde narkotike nga disa shtetas, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policise Elbasan, organizuan dhe finalizuan operacionin policor antidrogë të koduar “DRAGOT 2021″, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: S. M., 25 vjeç, M. H., 22 vjeç, F. Y., 25 vjeç, banues në Vlorë dhe P. B., 22 vjeç, banues në fshatin Pilur, Himarë.”, ka informuar policia.
Nga kontrolli fizik i personave të arrestuar dhe mjeteve tip ”Audi A6” dhe “Volkswagen”, siç ka informuar policia, është gjetur lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, me peshë 48 kilogramë, 1 thikë dhe 3 aparate celulare.
“Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.”, ka informuar tutje policia./21Media

Back to top button