Sekuestrohet 900 gramë kokainë në Durrës

 

Policia e Durrësit ka arrestuar 4 persona në kuadër të operacionit policor antidrogë i koduar “Taksisti.”

Policia ka arrestuar 30-vjeçarin E.Sh, 29-vjeçarin V.M (I dënuar më parë për korrupsion aktiv), 55-vjeçarin A.Gj dhe tre banues në Durrës dhe 52-vjeçarin A.B banues në Tiranë.

Pas një informacioni të marrë në rrugë operative se shtetasi A.Gj kishte ardhur në zonën e Plazhit, me mjetin e tij taksi, së bashku me shtetasin A.B (pasagjer), për të blerë një sasi lënde narkotike tek dy shtetas të tjerë, policia organizoi punën për kapjen e tyre.

Në momentin e konstatimit dhe të ndërhyrjes së Policisë, shtetasit E.Sh dhe V.M, të cilët posedonin lëndën narkotike, ndodheshin në një lokal në zonën e plazhit dhe sapo kanë vënë re prezencën e Policisë kanë kundërshtuar me dhunë dhe kanë tentuar të largohen, por janë neutralizuar dhe arrestuar nga Policia gjatë ndjekjes.

Gjate tentativës për t’u larguar, këta shtetas kanë hedhur një pako, e cila më pas u konstatua si lëndë narkotike e llojit kokainë, me peshë rreth 900 gramë.

Gjatë operacionit u bë kapja dhe arrestimi edhe i dy shtetasve të tjerë A.Gj dhe A.B, të cilët do blinin lëndën narkotike.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, automjeti taksi dhe 6 aparate celular.

Materialet i kaluan Prokurorisë Durrës, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim./21Media

Back to top button