Sekustrohen rreth 100 mijë euro nga kr*met ki*ernetike në Prishtinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se në kuadër të hetimeve intensive për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, është arritur të sekuestrohet pasuri me vlerë rreth 100 mijë euro, që dyshohet se është përfituar përmes veprimtarive kriminale.
Sipas njoftimit zyrtar bëhet e ditur se veprimet janë ndërmarrë në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet gjermane, duke çuar në zbulimin e pasurisë së dyshuar.
“Si rezultat i hetimeve të zhvilluara nga Prokurori i Shtetit, pasuria e sekuestruar, në vlerë rreth 100.000 (njëqind mijë) euro, dyshohet se buron nga veprimtaria e kundërligjshme e të dyshuarve. Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është lëshuar urdhër ndalues për këtë pasuri, për të cilin janë njoftuar edhe bankat komerciale në Kosovë. Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, në veçanti të krimeve kibernetike,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Ndërkohë, Prokurori i çështjes do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në bashkëpunim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.