Self-Escobarit: Pse nuk është sanksionuar Serbia

(Lajm i përditësuar)

Kongresisti amerikan, Keith Self i ka adresuar disa pyetje emisarit, Gabriel Escobar, mbi qasjen e tij ndaj Kosovës.

Sipas Self, Escobari po tregohet jokonsistent me deklaratat e tij. Në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, ai ka pyetur se pse nuk po sanksionohet Serbia.

Escobar është përgjigjur se sanksionet për armatimin e shteteve funksionojnë ndryshe dhe për këtë SHBA-ja është në komunikim me Serbinë.

“Nuk është zyra ime që merret me sanksionet. Sanksionet nuk kanë të bëjnë vetëm me blerjen e armatimit rus, po të ishte kështu do të kishim probleme edhe me Turqinë dhe të tjerët. Është niveli i blerjeve dhe kapaciteteve teknologjike të këtyre blerjeve. Për këtë kemi vazhduar komunikimin me Serbinë”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Self ka përmendur deklaratën e ish-kongresistit Eliot Engel se Administrata Biden po e përkëdhel Serbinë, duke kërkuar koment nga Escobari.

Escobar ka kundërshtuar duke përmendur se për 60 ditët e fundit administrata i ka dhënë vetëm mbështetje Kosovës.

“Kjo është e gabuar në fakte. Në 60 ditët e fundit kemi qenë në mbështetje të liberalizmi të vizave, anëtarësim të BE-së, Këshill të Evropës, kemi njohur rezultatet e zgjedhjeve, autoritetin e kryetarëve kundrejt kundërshtimeve të Serbisë, kemi sanksionuar shefin e Inteligjencës”, ka thënë.

Në fund, Self ka kërkuar nga Escobari që “të mos lejoni këtë dorë të zgjatur të Rusisë në territorin e NATO-s”.


Escobar: Jemi të brengosur me mungesën e përafrimit të Kosovës me SHBA-të

Gabriel Escobar ka thënë se janë të brengosur me mungesën e përafrimit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe komunitetin transatlantik.

Ai ka deklaruar se në mënyrë aktive janë duke u përpjekur të bindin Qeverinë e Kosovës që të shoh ShBA-të si partner primar.

“I kemi bërë kërkesat tona në mënyrë shumë të qartë, shumë të zëshme, BE në anën e tyre, ka vendosur pasoja, edhe ne, ne e kemi tërhequr Kosovën nga një ushtrim shumë i madh ndërkombëtar ushtarak si reagim ndaj kësaj dhe kërkojmë mënyra të tjera të partneritetit me një prej aleatëve tanë më të afërt në rajon. Më duhet ta them që jemi të brengosur me mungesën e përafrimit, jo vetëm me SHBA-të por me gjithë komunitetin transatlantik dhe kjo përfshinë Mbretërinë e Bashkuar, Bashkimin Evropian, NATO-n , QUINT-in dhe fqinjët, Shoqërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Prapë po kërkojmë në mënyrë aktive, mënyra të cilën mund ta bindim qeverinë që të shoh Shtetet e Bashkuara si partner primar në rajon dhe përafrimi me Shtetet e Bashkuara i sjell dobi Kosovës, nuk e hedh jashtë nga aspiratat e veta”, ka thënë Escobar para Kongresit Amerikan.


Escobar: Më mbështetjen amerikane Asociacioni nuk shkel Kushtetutën

Emisari amerikan, Gabriel Escobar, ka thënë se aspirata e SHBA-së është që Kosova të jetë anëtare e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ketë ulëse në Kombet e Bashkuara. Ai ka treguar se pse pesë shtetet mosnjohëse po i pengojnë këto procese për Kosovën.

Escobar ka thënë se është përpjekur ta bindë Qeverinë e Kosovës për marrëveshje me Serbinë.

“Kam kontakt të përhershëm me ato shtete dhe një gjë që ato e duan, që gjë për të cilën jam përpjekur ta bind Qeverinë e Kosovës, është ata duan të shohin një proces evropian në mënyrë që të përmbushen kërkesat e tyre sipas ligjeve të tyre që ta njohin pastaj. Nga perspektiva jonë është aspirata jonë që Kosova të jetë anëtare e NATO-s, BE-së dhe të ketë ulëse në Kombet e Bashkuara. Por, disa prej vendeve nuk mund ta njohin pa një marrëveshje dypalëshe Kosovë-Serbi, të tjerat nuk duan ta njohin për shkak të shpalljes së pavarësisë. Për këtë marrëveshja e Ohrit na jep mundësinë më të madhe në 15 vjet me Qeverinë e Kosovës që të fillojmë jo vetëm një fushatë të njohjeve evropiane, por edhe globale. Këto shtete duan të shohin vullnetin e mirë nga Kosova që të përmbushë pjesën e vet që është Asociacioni”, ka thënë ai.

Escobari ka shtuar se i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta formojë Asociacionin me mbështetjen amerikane pasi siç ka nënkuptuar ai, ashtu sigurohet se Asociacioni nuk do ta shkelë Kushtetutën e rendin shtetëror.

“Një prej arsyeve pse e kemi inkurajuar Qeverinë e Kosovë që të vazhdojë përpara me këtë me mbështetjen amerikane në një mënyrë që siguron se ky Asociacion të mos shkelë Kushtetutën, strukturën juridike apo funksionalitetin e shtetit. Deri sot nuk e kemi arritur këtë afrim nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë ai.


Escobar në Senat: Pasoja për Serbinë nëse serbët nuk marrin pjesë në zgjedhjet në veri

Para Kongresit Amerikan, Gabriel Escobar, ka thënë se e kanë mbështetur Kosovën në mbajtjen e zgjedhjeve në veri, si dhe kanë njohur legjitimitetin e kryetarëve të zgjedhur, përkundër kundërshtimit të Serbisë.

Megjithatë, ai ka thënë se kërkesa e vetme ka qenë që kryetarët e zgjedhur të mos hyjnë me forcë në objektet komunale.

Ndërsa ka theksuar se do të ketë pasoja për Serbinë nëse serbët nuk marrin pjesë në zgjedhjet e reja.

“Kemi qenë shumë të ashpër ndaj Serbisë për sa i përket kushteve që kërkojnë për pjesëmarrje në proces demokratik që është në Kosovë, pra kemi marrë zotimin që nuk do ta kundërshtojnë, dhe janë pasojat për Serbinë nëse nuk e bënë këtë, por vazhdojmë të punojmë me BE-në që plani trepikësh të zbatohet”, ka thënë ai.

Escobar, ka thënë se marrëveshja e Ohrit ofron mundësi të mira për Kosovën dhe Serbinë, sipas tij, për të krijuar marrëdhënie paqësore dhe për të hapur derën drejt rrugës evropiane.

Ai ka thënë se të dy vendet duhet të angazhohen pa parakushte dhe të fillojnë procesin e obligimeve që kanë marrë.


Escobar raporton në Senat: Ka pasur dhunë të papranueshme në veri

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar para Kongresit Amerikan ka thënë se në shkurt dhe mars, Bashkimi Evropian me mbështetjen e SHBA-së ka arritur marrëveshje për implementimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe një aneks të zbatimit.

Sipas tij, të dyja vendet duhet t’i përmbushin obligimet e marra nga kjo marrëveshje.

Ka shtuar se obligim i Kosovës ka qenë formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Kosova dhe Serbia gjithashtu janë pajtuar për t’ia njohur njëra-tjetrës dokumentet dhe simbolet kombëtare. Por më e rëndësishmja, Serbia nuk do të lobojë kundër integrimit të Kosovës. Që prej atëherë ka pasur tensione dhe dhunë të papranueshme ndaj KFOR-it dhe gazetarëve në veri të Kosovës. Ne dhe Bashkimi Evropian kemi bërë thirrje për shtensionim të menjëhershëm dhe rifokusim në implementimin e detyrave të marra nga marrëveshja”, ka thënë ai.

Ka shtuar se janë inkurajuar të dyja palët që t’i përmbushin obligimet e marra në marrëveshjen e nënshkruar.

Masat ndaj Kosovës, Escobar ka thënë se refuzon t’i quajë sanksionet, derisa ka përmendur se e vetmja gjë me të cilën nuk është pajtuar ShBA-ja ka qenë dërgimi me polici i kryetarëve në katër komunat veriore.

“Do të punojmë për realizimin e planit trepikësh”, ka thënë ai duke folur për rrugën përpara si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA

Back to top button