Selimi: Lufta çlirimtare e Kosovës nuk zhbëhet e as gjykohet, Adem Jashari mbrojë e lirisë

Marsi i Jasharajve dhe i UÇK-së tregon fuqishëm se lufta çlirimtare e Kosovës nuk zhbëhet, nuk harrohet e as nuk gjykohet, tha deputetja Shqipe Selimi. Në seancën solemne të Kuvendit, kushtuar përvjetorit të Epopesë së UÇK-së, ajo ka thënë se në këtë ditë duhet qëndruar pranë veteranëve e invalidëve të luftës, familjeve të të vrarëve dhe të personave të pagjetur.
Bashkëshortja e Rexhep Selimit, i cili ndodhet në Hagë me pretendime për akuza për krime lufte, ka thënë se lufta çlirimtare ishte e drejtë dhe amanet i komandantit legjendar Adem Jashari.
“Lufta jonë çlirimtare ishte luftë e drejtë e popullit të Kosovës, ishte amaneti i Adem Jasharit dhe ishte detyrë e jona si luftëtarë të UÇK-së të cilën detyrë ne e kryem me nderë e krenari deri në fitore, dhe për këtë gjë jam shumë krenare që isha pjesë e asaj lufte me pushkë në dorë e emblemë të UÇK-së në krah, bashkë me shumë bijë e bija të këtij kombi. Marsi i Jasharajve dhe i UÇK-së tregon fuqishëm se lufta çlirimtare e Kosovës nuk zhbëhet, nuk harrohet, nuk tjetërsohet e as nuk gjykohet. Ashtu sikur në çdo mars, edhe sot populli i Kosovës e di ku i ka rrënjët liria, e di ku qëndron lavdia dhe si është mbjellë ardhmëria. Prandaj edhe sot ashtu si gjithmonë le të jemi pranë familjeve të dëshmorëve, e le të jemi me veteranët e invalidët e luftës që së bashku me brengat dhe plagët e tyre ta nderojmë dhe kujtojmë luftën tonë të lavdishme”, ka thënë Selimi.
Ish-pjesëtarja e UÇK-së ka thënë se komandanti legjendar Adem Jashari është themeli, mburoja dhe simboli i lirisë së Kosovës.

Back to top button