Selmanaj: Më në fund edhe Kurti e pranon që sanksionet po e dëmtojnë Kosovën

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka deklaruar se janë bërë 70 ditë qëkur Kosovës i janë vendosur anksionet nga Bashkimi Evropian.

Ai shkruan në “Facebook” se “Më në fund edhe Albin Kurti e pranon që sanksionet po e dëmtojnë Kosovën financiarisht dhe politikisht”.

Po i dëmtojnë agjencitë tona shtetërore dhe bizneset e Kosovës. Mirëpo ajo çka Kurti po fshehë është se pas 24 viteve Kosova PËR HERË TË PARË, ndëshkohet me sanksione nga bota demokratike dhe aleatët tanë, edhe kjo ndodh për shkak të tij dhe gjatë qeverisjes së tij”, shtoi Selmanaj.

Albin Kurti në një intervistë për TV Sllovenia ka thënë se heqja e masave ndaj Kosovës do të ishte vërtet e mirëseardhur dhe vendim i drejtë i Bashkimit Evropian.

”Aktualisht, për shkak të situatës në veri të Kosovës, ndaj vendit tonë demokratik janë në fuqi disa sanksione apo masa të Bashkimit Evropian. Edhe pse ne nuk jemi përgjegjës për këto kushte. Përkundrazi, ne po luftojmë atje kundër ekstremistëve të dhunshëm që sulmuan ushtarët e KFOR-it, policët e Kosovës dhe gazetarët. Është e vërtetë që ne po vuajmë për shkak të këtyre sanksioneve. Kryesisht komuniteti ynë i biznesit, por edhe shërbimet shtetërore.  Për shembull, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është ngrirë, megjithëse ne e kemi përmbushur atë në 69 për qind. Huatë dhe grantet si dhe financimet nga fondet e Bashkimit Evropian janë gjithashtu në rrezik. E gjithë kjo u ndërpre. Prandaj, heqja e këtyre masave ndaj Kosovës do të ishte vërtet e mirëseardhur dhe vendim i drejtë i Bashkimit Evropian”, ka thënë Kurti./21Media

Back to top button