Senatori Murphy në takim me Kurtin: Këtë vit duhet të përfundojë procesi i dialogut me Serbinë

(Lajm i përditësuar)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim dy senatorë amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters

Kurti bëri të ditur se me dy senatorët ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, dhe për raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Sot diskutuam edhe për zhvillimet e fundit në vend, për qeverisjen tonë, diç më shumë se 2 vjeçare, arritjet, progresin dhe synimet përpara. Biseduam edhe me raportet për fqinjët tonë verior Serbinë dhe rezultatet e Dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian me theks te marrëveshja bazike dhe Aneksi i zbatimit”, tha Kurti.

Ai shtoi se këto përbejnë avancim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe janë platformë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

“Ato përbëjnë avancim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe janë platformë e mundësi për normalizim të plotë të tyre, prandaj na duhet zbatim i tërësishëm i shpejtë dhe pa kushtëzime”, deklaroi i pari i Qeverisë.

Në anën tjetër senatori Chris Murphy tha se duhet të përfundojë këtë vit procesi për dialogun Kosovë-Serbi.

“Do të mundohem të vijë këtu çdo pranverë. Nuk është koincidence se jemi këtu në Kosovë, pasi ju jeni aleatë të rëndësishëm të SHBA-së. Keni bërë progres në sektorin e ekonomisë dhe në ruajtjen e rendit dhe ligjit, dhe dua të iu falënderojë për luftimin e korrupsionit. Kemi biseduar për çështjen e Serbisë dhe ky është viti që duhet të përfundojë procesi dhe ne jemi këtu që t’ju bëjmë thirrje që ta implementoni marrëveshjen sa më shpejtë”, ka thënë ai.

Kurse, senatori Gary Peters deklaroi se janë të kënaqur me marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë dhe presin implementim të saj.

“Unë kam një komunitet të madh të shqiptarëve në Michigan. Kam pasur edhe takim me komunitetin atje për të biseduar për problemet që ballafaqohen. Ne jemi të kënaqur me marrëveshjen dhe sigurisht presim zbatimin e saj. Ne e konsiderojmë Kosovën si shteti më pro amerikanë, çdo herë përkrahni vendimet e politikat e SHBA-së’, ka thënë ai.

Senatori amerikan: Serbia ta ndal fushatën kundër Kosovës

Senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, deklaruan se Kosova ka qenë gjithmonë krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për këtë shkak, SHBA-ja do ta ndihmojë atë në rrugën përpara.

Murphy u shpreh të hënën në Prishtinë se Serbia nuk duhet të jetë pengesë që Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, duke i bërë thirrje Serbisë që ta ndal fushatën kundër Kosovës. Ndërsa Ksoova ta themelojë asociacionin.

“Ne do të jemi edhe në vende të tjera të rajonit, por nuk është koiçidencë që kemi ardhur fillimisht në Kosovë. Kosova gjithmonë ka qenë ne krahë të ShBA-së. Ne vlerësojmë përkushtimin e qeverisë për rend dhe ligj dhe luftimin e korrupsionit. Ne kemi ardhur këtu që të shohim, jemi shumë të lumtur me marrëveshjen e fundit, e cila përfshin njohjen. Serbia duhet të mos jetë pengesë që Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare. Dhe Kosova ka marrë një përkushtim për t’iu lejuar komunave të bashkohen me një asociacion dhe mendoj se zotimet e kësaj marrëveshje të realizohen sa më shpejt”, tha ai.

Ndërsa, senatori Gary Peters tha se Kosova dhe SHBA-ja kanë marrëdhënie speciale, derisa shtoi se Kosova do të ndihmohet edhe për sigurinë kombëtare.

“Marrëdhënia mes Kosovës dhe SHBA-së është speciale, nuk e di që ekziston ndonjë vend në botë që kanë marrëdhënie kaq të ngushta sa dy vende. Keni ndihmuar SHBA-në që të mbrojë e të ruajë demokracinë në botë. Prandaj SHBA-ja do të jetë pranë jush. Ne do të punojmë me ju edhe për sigurinë kibernetike, do të mundohemi të bashkëpunojmë edhe në furnizimin e pajisjeve ushtarake”, shtoi ai.

Osmani: Do ta zbatojmë në përpikmëri marrëveshjen e Ohrit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me dy senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters tha se Kosova nuk do t’i ikë detyrimeve sa i përket Marrëveshjes në Ohër.

“Kosova nuk do t’i ikë detyrimeve të saj. Kosova do të zbatojë secilin detyrim për të cilin është pajtuar si pjesë e këtij dialogu. Siç e dini që kanë të drejtë komunat të mblidhjen në asociacione për të koordinuar punën e tyre, por e gjithë kjo në përputhje të Kushtetutës dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015”. tha Osmani.

Osmani: Kosova është vendi më pro amerikan në botë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me dy senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters tha se marrëdhënia mes Kosovës dhe SHBA-ve nuk është vetëm e rëndësishme, por është ekzistenciale.

Ajo në një konferencë për media deklaroi se në kohën kur arkitektura e Evropës po sfidohet nga mendësi autokratike, Kosova gjendet krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke theksuar se “Kosova me krenari është vendi më pro amerikan në botë”.

“Siç dëshmohet në bashkëpunime, Kosova është vendi më pro amerikan në botë me shumë krenari. Prandaj në këtë kohë ku gjithë arkitektura e Evropës po sfidohet nga mendësia autokratike, Kosova gjendet në krahë të SHBA-së. Në këtë takim shpreha nevojën për bashkëpunimin ushtarak me SHBA-në. Kam kërkuar përkrahje për integrimin e Kosovës ne organizatat ndërkombëtare. Integrimi i Kosovës është përgjigje e fuqishme ndaj atyre që dëshirojnë të na kthejnë në vitet e 90-a. I njoftova edhe për çështjen që Serbia nuk i ka zbatuar në kuadër të dialogut”, deklaroi Osmani.

Presidentja tha se shpreson që zëri i Senatit do të jetë i qartë kundër strukturave paralele që po i terrorizojnë serbët në veri.

Nis takimi mes Osmanit dhe senatorëve amerikanë

Presidentja e Ksoovës, Vjosa Osmani, priti në takim një delegacion të Kongresit Amerikan të përbërë nga senatorët Chris Murphy dhe Gary Peters.

Mediat në fillim u lejuan të merrnin pamje, ndërsa pas takimit pritet deklarim për media.

Pos Kurtit, edhe Osmani i pret sot në takim senatorët amerikanë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot do të pres në takim një delegacion të Kongresit amerikan të përbërë nga senatorët, Chris Murphy dhe Gary Peters.

Takimi do të fillojë nga ora 13:15, mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit, ndërkaq pas takimit do të ketë edhe deklarim për media.

Pos Osmanit, senatorët amerikan do të priten në takim edhe nga kryeministri Albin Kurti. Zyra e kryeministrit ka njoftuar se takimi i Kurtit me senatorët amerikanë është shtyrë për në orën 15:55.

Kurti sot pret në takim dy senatorë amerikanë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot pret në takim senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters.

Takimi pritet të zhvillohet në orën 15:00 në ndërtesën e Qeverisë. Më pas pritet të ketë deklarim për media.

Kujtojmë se më 18 maj 2023, në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjegjësisht në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë, është zhvilluar një seancë dëgjimore me temën “Vlerësimi i Politikës së ShBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor”.

Në këtë seancë kanë raportuar këshilltari i Lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Back to top button