​Serbët nisen nga veriu i Mitrovicës për të votuar në Serbi

(Lajm i përditësuar)


Dhjetëra autobusë me qytetarë serbë janë nisur sot në mëngjes nga veriu i Mitrovicës për në qytete të ndryshme të Serbisë, ku do të votojnë në zgjedhjet parlamentare të cilat po mbahen në Serbi.

Dhjetëra autobusë me qytetarë serbë janë nisur sot në mëngjes nga veriu i Mitrovicës për në qytete të ndryshme të Serbisë, ku do të votojnë në zgjedhjet parlamentare të cilat po mbahen në Serbi.

Një pjesë e tyre përmes transportit të organizuar janë nisur pas orës 6:00 nga stacioni i autobusëve në veri të Mitrovicës, pastaj grupi tjetër në 7:30 dhe kështu do të ketë organizime pothuajse çdo orë deri në mesditë.

Ekipi i kp, ka qëndruar për më shumë se dy orë në veri, ndërsa qytetarët nuk kanë pranuar të flasin para kamerave.

Afër stacionit të autobusëve janë vërejtur patrullime të vazhdueshme të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës me automjetet e tyre, por edhe të EULEX-it dhe KFOR-it.

Për t’iu shmangur tollovisë, ka edhe lokacione tjera prej nga kanë udhëtuar, siç janë spital i përgjithshëm në veri të Mitrovicës, pastaj ndërmarrja Trepça në Zveçan etj, derisa shumë prej tyre kanë vendosur të shkojnë edhe me automjete private.

Qytetarët nga veriu i Mitrovicës, Zveçanit dhe Leposaviqi do të votojnë në Rashkë, ata nga Zubin Potoku në Tutin, ndërsa do të ketë qendra të votimit edhe në Kurshumli e Vranje, ku do të mund të votojnë serbët nga komunat tjera të Kosovës, varësisht prej cilit qytet vijnë.

Mësohet se autobusët me targa BG, NP, RKS etj, të cilët po transportojnë votuesit kanë krijuar kolona në pikën kufitare të Jarinjes, ndërsa në Bërnjak situate është më e qetë.


​Janë hapur dyert e qendrës më të madhe të votimit në Preshevë

Qytetarët e Luginës së Preshevës sot do të votojnë për përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e Serbisë.

Kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor në Preshevë, Alban Mehmeti bëri të ditur për kp se në Preshevë të drejtë vote kanë 43 mijë e 500 votues. Në këtë komunë votohet në 38 qendra të votimit.

Ndërkaq, kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor në Bujanoc, Fejzi Beqiri tha se janë 42 mijë e 786 qytetarë me të drejtë vote, të cilët mund të ushtrojnë vullnetin e tyre në 59 qendra votimi.

Për zgjedhjet parlamentare në Serbi po marrin pjesë dy lista te shqiptarëve.

“Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” udhëhiqet nga Shaip Kamberi dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”, e cila udhëhiqet nga Shqiprim Arifi.


Serbia mban zgjedhjet parlamentare, lokale e krahinore

Serbia mban të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore.

Të drejtë vote kanë rreth 6.5 milionë banorë, të cilët mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre prej orës 07:00 deri në 20:00.

Të hapura do të jenë 8.273 qendra votimi.

Këto janë zgjedhjet e pesta që organizohen në Serbi prej vitit 2012, dhe mbahen vetëm 18 muaj pas organizimit të procesit të fundit zgjedhor.

Zgjedhjet e së dielës do të monitorohen nga 5.587 vëzhgues vendas dhe të huaj – numër rekord i vëzhguesve, në krahasim me zgjedhjet e mbajtura deri më tani.

Zgjedhjet janë nxitur prej zemërimit në rritje të publikut për të shtënat masive të këtij viti dhe kërkesës së vazhdueshme të opozitës për proces të ri zgjedhor.

Dy sulmet me të shtëna masive të majit maj, që kanë lënë të vdekur 18 persona, përfshirë nëntë nxënës dhe adoleshentë, kanë rezultuar me protesta në rrugë me javë të tëra.

Partitë opozitare, dhe vëzhguesit për të drejta të njeriut, e akuzojnë partinë në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS), të presidentit aktual, Aleksandar Vuçiq, për kufizim të lirisë së mediave, mbështetje të dhunës kundër kundërshtarëve, për korrupsion, dhe lidhje me krim të organizuar.

Vuçiq, dhe aleatët, hedhin poshtë këto akuza.

Disa sondazhe publike e nxjerrin partinë e Vuçiqit si fituese të zgjedhjeve, në rendin e dytë koalicionin e partive opozitare, dhe të tretën, Partinë Socialiste të ish-ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiq, që është partnere në koalicion me SNS-në.

Serbët në Kosovë do të udhëtojnë për të votuar

Serbët e Kosovës do të mund të votojnë vetëm për Kuvendin e Serbisë.

Ata do të duhet të udhëtojnë drejt Serbisë për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre, pasi procesi zgjedhor nuk do të zhvillohet në Kosovë, në krahasim me vite më parë.

Ata do të votojnë në katër qytete në jug të Serbisë – në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.
Qeveria e Kosovës ka kërkuar që shteti i Serbisë t’i bëjë kërkesë të drejtpërdrejtë për mbajtje të zgjedhjeve, por Beogradi zyrtar nuk ka vepruar ashtu, meqë nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) i ka grumbulluar votat. Ato vota, më pas, janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

Thirrje shqiptarëve në Serbi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës të votojnë në zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke thënë se “projekti serb për heshtjen e zërit shqip duhet të përballet me rezistencë e mosnënshtrim”.

Shqiptarët e Luginës garojnë këtë herë me dy lista.

Në përbërjen e kaluar parlamentare, Shaip Kamberi ka qenë përfaqësuesi i vetëm i komunitetit shqiptar./rel

Back to top button