Serbia me kërkesë për ripërcaktim të kufirit mes dy Mitrovicave

Kërkesa e Serbisë për ripërcaktim të kufirit që e ndan Mitrovicën e Jugut me Mitrovicën e Veriut, përmes demarkimit në zonën e Suhadollit si parakusht për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, për banorët e këtij fshati është e papranueshme. Ata shprehën të vendosur se nuk do të lejojnë asnjë ripërcaktim të kufirit në këtë pjesë të vendit.
Diskutime e përplasje të shumta me faktorin ndërkombëtar shkaktoi paralajmërimi i Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës së Ibrit, por megjithatë kjo urë nuk u hap pavarësisht synimit të Qeverisë.
E si parakusht për hapjen e urës, Serbia po kërkon ripërcaktimin e kufirit që e ndan Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut, konkretisht demarkacion në zonën e Suhadollit. Por kjo kërkesë e Serbisë për banorët e fshatit Suhadoll është e papranueshme. Sipas tyre kufiri mes dy Mitrovicave është përcaktuar që në kohën e Ahtisaarit dhe tashmë është punë kryer.
Ata shprehen të vendosur se nuk do të lejojnë asnjë ripërcaktim të këtij kufiri .
“Kjo ka qene kërkesë e vazhdueshme e tyre por që s’do të realizohet tash edhe ma hiç nuk munden. Ajo urë e ka domethënien e saj me u hapë besoj se në një kohë të shkurtër do ta gjejnë mënyrë për më hapë. Jemi kanë në pozitë shume më të keqe s’e kemi leju e le më tani. Te vendosur deri në pikë e fundit”, tha një qytetar për rtv21.
“Ura e Ibrit është problem politik mendoj se kjo punë mundet me u shqyrtu në instanca më të larta por Evropa po ngec. Kjo kërkesë është e gabuar nga ana e Serbisë”, tha për rtv21 një qytetar tjetë.
“Moti është kry kjo pune. Ahtisaari e ka kry për çka me përsëritë prapë”, u shpreh një banor.
Fshati Suhadoll në anën veriore të lumit Ibër i takon Komunës së Mitrovicës së Jugut, por të kundërtën e kanë pretenduar serbët që kanë udhëhequr me Komunën e Mitrovicës së Veriut. Kërkesa për demarkacion në zonën e këtij fshati u paraqit së fundit në Bruksel nga kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq si kusht për hapjen e urës së Ibrit.
Profesori i Shkencave Politike, Nexhmedin Spahiu, vlerëson se ura e Ibrit duhet të hapet dhe se kërkesa e Serbisë për ripërcaktim të kufirit mes dy Mitrovicave nuk duhej pranuar pasi që siç thotë përbën një rrezik. Ai shpjegon në detaje se si lindi kjo kërkesë e Serbisë.
“Kufiri mes dy komunave është çështje e brendshme e Kosovës e dy komunave dhe e dyta plani i Ahitsaarit e ka parparë që mes komunave te jetë aty ku është. Është kërkesë e Serbisë edhe varet sa iu plotësohet ky kusht por tashme kur veriu i Kosovës është marrë nën kontroll edhe ndryshmi i kufijve s’përbenë ndonjë rrezik aq te madh si përpara, por megjithatë përbën një rrezik dhe s’duhet lëshuar pe”, tha për rtv21 Spahiu.
Përderisa Ura e Ibrit vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim të automjeteve dhe një simbol ndarës i dy komunave, në afërsi të saj është Ura e Suhodollit në të cilën qarkullimi bëhet lirshëm./RTV21/21Media