Serbia presion tek Sudani pasi njohu Kosovën, MPJD: Shkelje e marrëveshjeve, BE të forcojë mekanizmat e mbikëqyrjes

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka dalë me deklaratë, përmes së cilës ka thënë se deklarata e Serbisë ndaj vendimit të Sudanit për ta njohur Republikën e Kosovës, përbën shkelje të qartë dhe të papranueshme të detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i zbatimit të Ohrit.
Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë e vuri në pikëpyetje njohjen nga Sudani, duke thënë se situata aktuale politike në shtetin afrikan “e vë në dyshim vlefshmërinë e vendimeve të tilla”, teksa kërkoi nga Sudani ta rishqyrtojë vendimin.
MPJD ka thënë se kjo është një përpjekje të papranueshme për të ushtruar presion ndaj qeverisë sovrane të Sudanit, duke cenuar të drejtën legjitime të këtij shteti për të marrë vendime të pavarura në kuadër të politikës së jashtme, shkruan Reporteri.net.
“Veprimet e Serbisë drejtpërdrejt bien ndesh me dispozitat kyçe të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit. Neni 1 i Marrëveshjes së Brukselit obligon të dy palët të “zhvillojnë marrëdhënie normale, fqinjësore të mira me njëra-tjetrën, mbi bazën e të drejtave të barabarta.” Duke kundërshtuar vendimin sovran të Sudanit për të njohur Kosovën, Serbia jo vetëm që dështon të përmbushë këtë obligim, por aktivisht punon për të penguar angazhimin ndërkombëtar të Kosovës.
Për më tepër, Neni 4 i Marrëveshjes së Brukselit përcakton qartë se Serbia “nuk do ta bllokojë dhe as nuk do t’i inkurajojë të tjerët të bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.” Aneksi i Ohrit e rithekson këtë dispozitë, duke nënvizuar detyrimin e Serbisë për të shmangur veprimet që pengojnë avancimin ndërkombëtar të Kosovës. Reagimi i Serbisë ndaj njohjes nga Sudani përbën shkelje të drejtpërdrejtë të këtyre obligimeve dhe synon të ndalë përparimin e Kosovës drejt integrimit në komunitetin global”, theksohet në deklaratë.
Nga MPJD i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe komunitetit ndërkombëtar që të adresojnë shkeljet e vazhdueshme të Serbisë dhe të sigurojnë zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.
“Së fundi, i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian dhe aktorëve ndërkombëtarë që të forcojnë mekanizmat e mbikëqyrjes, me qëllim të garantimit të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit nga Serbia, duke ndërtuar një proces dialogu që çon drejt njohjes së ndërsjellë dhe paqes së qëndrueshme në rajon”, thuhet në deklaratë.