Serbia pret ndihmën ushtarake të Rusisë

Putin po ashtu ka mbështetur kandidaturën e Vuçiq për postin e presidentit të Serbisë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka porositur të hënën në takim me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Moskë, se shpreson që marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve të “zhvillohen pozitivisht dhe në frymën e miqësisë, pavarësisht zhvillimit të situatës politike”, ndërsa kryeministri serb pret që ndihma ushtarake ruse të arrijë sa më parë në Serbi, transmetojnë mediat serbe nga Moska.

Putin ka mbështetur kandidaturën e Vuçiq për postin e presidentit të Serbisë, duke shfaqur pritjet se zgjedhjet e ardhshme presidenciale do të kalojnë në nivelin më të lartë, me dëshirën për sukses “autoriteteve aktuale”.

Ai ka theksuar se me përpjekje të përbashkëta marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve në sferën tregtare-ekonomike kanë ndryshuar, dhe se ka rritje prej rreth 40 për qind.

Mediat beogradase transmetojnë se Putin në bisedë me Vuçiq ka vlerësuar se si situata në rajon “disi po ashpërsohet”.

Nga ana e tij, Vuçiq ka falënderuar Putin për mbështetjen e shtetit të tij ndaj Serbisë, duke thënë se është e mundur që të ngritet shkëmbimi tregtar ndërmjet dy vendeve.

Njëkohësisht, kryeministri serb pret që presidenti i Rusisë sa më shpejt që të jetë e mundur të nënshkruajë rregulloren në bazë të të cilës armatimi rus do të arrijë në Serbi.

“Kemi biseduar edhe për bashkëpunimin ushtarak-teknik. Putin ka thënë se personalisht ka miratuar gjithë atë për të cilën kam biseduar me ministrin e Mbrojtjes Sergej Shojg, në lidhje me 30 automjetet e blinduara luftarake, 30 tanke T-72 dhe 6 aeroplanë MIG 29. Pas bisedimeve të sotme, në kohën sa më të shpejtë pres që presidenti të nënshkruajë rregulloren, që do të thotë se gjithë ajo për të cilën jemi dakorduar përfundimisht të arrijë në Serbi”, ka thënë Vuçiq.

Ndryshe, takimi i sotëm ishte i dhjeti ndërmjet Vuçiq dhe Putin, ndërsa në Moskë së bashku me kryeministrin serb ishin edhe ministri i Mbrojtjes Zoran Gjorgjeviq dhe ai i Punës, Aleksandar Vulin.

Back to top button