Server: Maqedonia pjesë e NATO-s?!

Sipas Server, SHBA dhe BE duhet t’i bëjnë presion Greqisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian duhet të ushtrojnë trysni me qëllim që Maqedonia sa më parë të bëhet pjesë e Aleancës Veriatlantike. Këtë e deklaroi analisti i mirënjohur Daniel Server në seancën e nënkomitetit për Evropë dhe Euroazi pranë Departamentit Amerikan të Shtetit. Sipas tij, sapo të formohet Qeveria e re, Shkupi duhet të marrë festën për anëtarësim në NATO.

“Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet t’i thonë Greqisë se Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë do të marrë ftesë për në NATO në momentin kur në vend do të ketë qeveri demokratike dhe transparente”, tha Server.

Edhe zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Brajan Hojt Ji theksoi ditë më parë se ShBA si partner strategjik i Maqedonisë duhet të ndihmojnë në realizimin e synimeve të Shkupit.

“Maqedonia dëshiron të integrohet në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Ne si partner, përpiqemi që t’i ndihmojmë, me qëllim që Maqedonia t’i arrijë synimet e saj”, tha Hojt Ji.

Sipas ish ambasadorit të Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin, qeveria e re që proklamohet si demokratike dhe proevropiane, ka mundësi të zgjidhë një nga çështjet më të rënda të historisë bashkëkohore maqedonase, siç është kontesti i emrit.

“Kjo do të ndodhte duke ushtruar trysni më intensive dhe prandaj konsideroj dhe shpresoj se Maqedonia ndoshta deri në fund të vitit do të duhet të marr ftesën për anëtarësim në NATO”, tha Ruzhin.

Diplomati Nikolla Dimitrov për TV21 thotë se ai do të ishte i kujdesshëm me pritjet rreth integrimit të shpejtë të vendit në NATO. Sipas tij, nëse vendi kthehet në trajektoren evropiane, tek bashkësia ndërkombëtar do të krijohej vullnet i mirë që do të duhej të shfrytëzohej.

“Rruga për anëtarësim po hapet, por megjithatë ajo ende është përpjetë. Kështu që do të duhet të gjithë të shtyjmë, që t’ia dalim të ngjitemi në kodër apo në mal. Mendoj se në Maqedoni ende kemi struktura që vazhdojnë të shtyjnë në drejtim të gabuar“, theksoi ai.

Dimitrov nuk deshi t’i komentojë spekulimet se ai mund të vijë në funksionin e ministrit të jashtëm të Maqedonisë, sepse siç u shpreh, nuk do të donte që të ushtronte trysni në këto momente delikate./21Media

Back to top button