Sezoni nis me shumë telashe, Fetahu shpjegon çfarë po ndodh në basketbollin kosovar

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu, ka folur për gjendjen e vështirë në të cilën është futur basketbolli kosovar në këtë fillim të sezonit të ri.
Në një intervistë ai ka theksuar se bllokimi i palestrave sportive për nevoja zgjedhore ka shkaktuar paqartësi të mëdha për klubet, vonesa në përgatitje dhe pasoja financiare e sportive për federatën dhe komunitetin.
Kreu i FBK-së flet për vështirësitë që po përballin klubet, të cilat nuk janë të informuara për oraret e ndeshjeve për shkak të paqartësive të krijuara nga bllokimi i palestrave.
“Fatkeqësisht, ndikimi i këtyre paqartësive nuk është i vogël, është mjaft i madh. Klubet të cilat janë në amulli dhe nuk e dinë nëse do të zhvillojnë një ndeshje pas tri-katër ditësh apo jo, natyrisht se nuk janë njëjtë të përgatitura, ashtu siç do të ishin të përgatitura për t’i zhvilluar këto ndeshje, po ta kishim tërësisht të qartë këtë punë. Ne e kuptojmë si federatë dhe si komunitet e kuptojmë se sa janë të rëndësishme zgjedhjet lokale, por gjithashtu do të kishim shpresë që për në të ardhmen të mendojnë edhe organet e vendit se si të gjejnë disa mjete apo mënyra apo hapësira alternative të cilat mund të shfrytëzohen sipas Ligjit për Zgjedhjet në Republikën e Kosovës për të mos i bllokuar të gjitha palestrat e sportit në të njëjtën kohë… Nuk është e lehtë për një vend, i cili ka edhe ashtu mangësi të infrastrukturës sportive, që të gjitha palestrat kryesore të vendit të bllokohen edhe ato të bllokohen në të njëjtën kohë dhe për një periudhë kaq të gjatë kohore”, theksoi fillimisht Fetahu.
Fetahu ka sqaruar përmasat e problemit, duke zbuluar se janë gjithsej 38 palestra në 38 komuna të Kosovës që janë bllokuar për nevoja të zgjedhjeve. Ai paralajmëroi se kjo po dëmton jo vetëm garat vendore, por edhe përfaqësimet ndërkombëtare të klubeve kosovare.
“Nuk është vetëm gara që këto klube e zhvillojnë në Kosovë. Këtu flitet edhe për garat ndërkombëtare të nivelit elitar në të cilat paraqitja e klubeve tona në këtë vit e përcakton kuotën të cilën do ta arrijmë për garat për vitet në vijim. Do të thotë nuk është ndikimi vetëm për këtë stinor i një rezultati sportiv por rezultatet e këtij viti na shërbejnë si vend edhe për garim në vitet tjera. Kështu që, në kuptim të stërvitjeve kemi telashe, në kuptim të zhvillimit të garave tona kemi telashe dhe në kuptim të zhvillimi të garave ndërkombëtare për të cilat luftojmë aq shumë për t’u kualifikuar dhe për të qenë pjesë e tyre, kemi problem si rrjedhojë e bllokimit të 38 palestrave në 38 komunat e Kosovës për shkak të zhvillimit të zgjedhjeve”, bën të ditur Fetahu.
I pari i FBK-së tërhoqi vëmendjen edhe për pasojat që mund të kenë klubet nëse nuk arrijnë t’i zhvillojnë ndeshjet sipas kalendarit. Ai theksoi se dështimi për të luajtur, sjell humbje zyrtare dhe penalitete të larta financiare, duke rënduar gjendjen ekonomike të klubeve.
“Jo vërejtje, por nëse nuk je në gjendje ta zhvillosh ndeshjen në momentin kur duhet ta zhvillosh ndeshjen, nëse nuk ka një marrëveshje tjetër ndërmjet klubeve pjesëmarrëse, atëherë ndeshjen e humb me rezultat zyrtar, ka penalitet finsnciar dhe ajo që është më e keqja, në bazë të rregullave të basketbollit e humb edhe pikën e cila të takon edhe si humbës. Do të thotë me një ndeshje të cilën nuk e zhvillon, i ke dy ndeshje të humbura në start, e penalitetet financiare natyrisht se janë shumë më të larta se sa ato që i imponon Federata e Basketbollit të Kosovës në situata të tilla”, deklaron Fetahu.
Duke folur për garat e planifikuara, Fetahu shpjegoi se anulimi i Superkupës së Kosovës ishte një vendim i vështirë, por i domosdoshëm.
“Ne prej tri garave të cilat i zhvillojmë brenda një stinori, vendosëm që ta Superkupën e Kosovës, si garë më pak e rëndësishme, por natyrisht se si vendim është i dhimbshëm. Ka pasur një organizator që ka qenë i gatshëm për organizimin e saj, edhe kjo ka implikime sportive, financiare për federatën e cila përfiton, për organizatorin, për qytetet të cilat që i organizojnë sepse ka shikueshmëri të lartë, ka interes për t’i ndjekur këto ndeshje, kështu që si rrjedhojë komuniteti ka humbur patjetër me anulimin e Superkupës por na u desh që në bordin tonë ta marrim një vendim të dhimbshëm”, shton më tutje Fetahu.
Përkundër këtyre problemeve, Fetahu foli për një zhvillim pozitiv për basketbollin kosovar – mbajtjen për herë të parë në Kosovë të një mbledhjeje të Komisionit të FIBA Evropës.
“Është hera e parë që një komision i FIBA Evropës grumbullohet në Kosovë. Unë si nënkryetar i këtij komisioni këtë propozim e kam bërë në takimin e parafundit të cilin e kam pasur dhe fal përkrahjes së të gjithë anëtarëve është vendosur që mbledhja e ardhshme të mbahet këtu. Sa i përket grumbulkimit për U14, kjo është pjesë e strategjisë dhe interesit tonë për t’u marr me lojtarët e kategorive të reja në moshat sa lë të hershme që është e mundur. Është një grumbullim prestigjoz i trajnerëve dhe i ekspertëve të FIBA-së, i cili për dy ditë me radhë do t’i zhvillojë punimet në Prishtinë”, tha në fund Fetahu.
Në fund, Fetahu u shpreh shumë i kënaqur me ecurinë e skuadrave kosovare të basketbollit në garat evropiane. Ai tha se pret paraqitje të mira më tutje në Evropë nga skuadrat si Trepça, Peja, Bashkimi dhe Sigal Prishtina./kp