Shahini: Bizneset po investojnë jashtë, Kosova po humb brenda

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka shprehur shqetësim, siç thotë ai për trendin e vazhdueshëm të largimit të kapitalit dhe bizneseve kosovare drejt tregjeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Shahini, tha se sipas disa të dhënave, në vitin 2024 në Shqipëri ikën rreth 600 ndërmarrje aktive me kapital nga Kosova.
“Investimet e drejtpërdrejta nga Kosova në Shqipëri për vitin 2024 arritën rreth 100 milionë euro – një rritje prej 32% krahasuar me vitin paraprak. Stoku total i investimeve kosovare atje ka arritur vlerën rreth 450 milionë eurove nga viti 2020’, ka shkruar Shahini.
Sipas tij, ky trend nuk përfaqëson vetëm rritjen e interesit për tregje të reja, por është edhe pasojë direkte e kushteve të pafavorshme për zhvillim të brendshëm në Kosovë. Bizneset kosovare largohen për shkak të: mungesës së përkrahjes institucionale, pasigurisë ligjore dhe procedurale, mungesës së stimujve ekonomikë për kapitalin vendor me politika të shtrenjta dhe diskriminuese dhe konkurrencës jo të barabartë në tregun vendor.
Kreu i AKB-së thekson se ky është një alarm serioz për institucionet e Kosovës. “Në vend të mbrojtjes së kapitalit dhe të ndërmarrjeve vendore, politikat aktuale po i detyrojnë ato të kërkojnë mbijetesë jashtë vendit. Në këtë drejtim, AKB: Kërkon hartimin urgjent të një Pakti Ekonomik Kombëtar, ku përfshihen institucionet publike, sektori privat dhe diaspora; Fton Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës të ndërmarrin reforma strukturore që mundësojnë ambient tërheqës për investime të brendshme; Paralajmëron për pasojat afatgjata ekonomike dhe sociale që vijnë nga shpërndarja e kapitalit dhe rënia e besimit në ekonominë vendore. Kapitali është gjaku i ekonomisë – dhe Kosova nuk mund të përparojë duke e humbur gjakun e saj afarist”, tha në fund kryetari i AKB-së Agim Shahini.