Shahini: Në Serbi janë bllokuar mbi 30 milionë euro të bizneseve kosovare

Në Serbi janë bllokuar mbi 30 milionë euro të bizneseve kosovare pas vendimit të Qeverisë për ndalimin e hyrjes së mallrave nga Serbia, kështu tha sonte në “Click” në RTV21, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini.

Ai tregoi se të mërkurën nga ora 13:00 Aleanca Kosovare e Biznesit do të mbajë një konferencë për media ku edhe do t’i shpalosë të dhënat pas bllokimit të mallrave në kufi.

“Po jau jepi një ekskluzive, një shifër mesatarisht nëpër mauna apo në Serbi ekzistojnë më shumë se 30 milionë euro të paguara të bizneseve kosovare që i kanë me parapagim atje mallra dhe atje janë të bllokuara por përderisa nuk vijnë këndej ai kapital do të jetë i ngrirë”, tha Shahni ndërsa theksoi se ai mall është i rrezikuar.

“Maunat të cilat janë anej janë të rrezikuara. Sepse dallon shumë bllokimi i Kosovës me të Serbisë. Në Kosovë është bllokuar nga shteti, në Serbi nga qytetarët. Dhe përderisa në Kosovë e ka bllokuar shteti hyrjen e mallrave atje e ka bllokuar qytetari dhe ata mund ta marrin ligjin në dorë dhe mund t’i sulmojnë edhe maunat tona edhe shoferët tanë”, tha ai.

Kreu i AKB-së tutje tha se Serbia ka një treg në Kosovë mesatarisht 372 milionë euro në vit.

Shoferë kamionësh në territorin e Serbisë kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt tri pikave kufitare me Kosovën, Merdare, Jarinjë dhe Bërnjak, që nga mbrëmja e 19 qershorit, duke mos lejuar kamionë me targa të Kosovës të kalojnë nëpër territorin serb. Bllokimi i rrugëve është bërë në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Kosovës për të ndaluar hyrjen në vend të kamionëve me targa të Serbisë dhe atyre që bartin mallra serbe./21Media 

Back to top button