Shaip Shala fajson rrjetin elektrik, kërkon kompensim nga KEDS

Sipas tij rryma i ka shkaktuar dëme biznesit të tij

Shaip Shala nga fshati Trudë i komunës së Prishtinës po pretendon që mos ndreqja e rrjetit elektrik i ka shkaktuar dëme në biznesin e tij të vogël. Ai madje ka paralajmëruar se do të ngrisë padi nëse këto dëme nuk ia paguan KEDS-i.

Shala i cili bashkë me familjen e tij, jeton nga një dyqan i vogël, ankohet se e ka problem të rregullojë pajisjet elektrike të cilat iu kanë djegur si pasojë e përpjekjeve të telave të rrymës, derisa një gjë e tillë po i sjellë probleme në zhvillimin e biznesit.
“Neve na ka djegur dy frizat e kokakolës, na i ka djegur frizin e akulloreve, na ka djegur frizin e mishrave në ketë lokal. Për në shtëpi kam arrit ta ndali, se këtu i dul tymi, ndërsa të shtëpia i kam ndal s’më ka djeg. Unë nuk e di çka mendon ky KEK, na i bjen faturat thua që është lokal i madh këtu, 60 euro, po e shihni, 23 metra katror i ka kjo, 60 euro. Ne jemi duke ua paguar rrymën edhe serbëve të veriut dhe Gracanicës, se atyre nuk guxojnë me shku me iu than KEDS-i qitni parët këtu, por neve po na e lujnë nanen kështu”, tha Shala.

Sipas tij, era e madhe ka pështjellur telat, duke djegur pajisjet elektrike në lokal.
“Jam kanë në KEK e kam bërë ankesën, thanë na vijmë e marrim e shikojmë, tash po presim, a vijnë apo jo nuk e di. A për me ju besu, pasha zote asnjë kokërr, nuk është për t’iu besuar….vallain kurrë, kurrë, kush me kompensuar katinarin e shkretë, jo bre këta në qafë na shkelin. Me këtë rrymë kështu, nuk erdhën me ndreq me shtylla të betonit dhe tela bistek sepse për ata e ka marrë ky zotëria sepse për kështu kemi qenë për faqe të zezë. Ky asgjë nuk bani, veç po i merr paratë dhe po i mbushë gjepat”, tha ai.

Sipas tij, janë mbi 300 euro që iu është bërë dëmi, derisa nuk mund t’i rregullojë me fitimet që ka nga biznesi i vogël.
“Për afërisht mbi 300 euro shkojnë. Tash kur i marrim 300 euro ne me këtë lokal, ku i bëjmë na 300 euro për këto dëmtime. …Po në qoftë se nuk i paguajnë gjithqysh ne do të shkojmë përmes avokatit në gjyq do të shkojmë, ne do t’i dërgojmë në gjykatë se nuk shkohet kështu”, tha ai.

Megjithatë zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se është jashtë vendit dhe se përgjigje mund të jap tek të hënën.

Back to top button