SHBA: Arrihet marrëveshje për buxhetin

Trump ende deklaron se do ta ndërtojë murin

Ligjvënësit në Shtetet e Bashkuara thanë se kanë arritur një marrëveshje në parim për buxhetin, në përpjekje për të shmangur një tjetër mbyllje të qeverisë.

Negociatorët e Kongresit thanë se marrëveshja përfshin financime për disa barriera të reja në kufirin e SHBA-së me Meksikën.

Megjithatë, shuma nuk është as afër 5.7 miliardë dollarëve që presidenti Donald Trump ka kërkuar për ndërtimin e një muri në kufi.

Demokratët e Kongresit kanë refuzuar autorizimin e kësaj shume, duke e cilësuar si humbje të parave, ndërkohë që republikanët kanë synuar të shmangin mbylljen e qeverisë.

Mbyllja 35-ditëshe, që ka përfunduar muajin e kaluar, ka bërë që qindra-mijëra punonjës federalë të mos marrin rroga.

Sondazhet kanë treguar se amerikanët e kanë fajësuar Trumpin për këtë.

Menjëherë pas njoftimit për arritjen e marrëveshjes në parim, Trump mbajti një tubim në El Paso të Teksasit, ku tha se muri do t’i mbronte amerikanët nga kriminelët e dhunshëm dhe drogat e paligjshme.

Në javët e fundit, Trump ka kërcënuar me shpalljen e emergjencës kombëtare nëse Kongresi nuk i autorizon paratë për murin, por ligjshmëria e një mase të tillë është e diskutueshme.

Sipas Kushtetutës amerikane, Kongresi ka fuqinë ligjore t’i miratojë masat buxhetore.

Megjithatë, gjatë tubimit në Teksas, presidenti Donald Trump ka premtuar se do ta ndërtojë murin në kufi me Meksikën.

“Muri po ndërtohet. Do të vazhdojë. Po ecë me një tempo të shpejtë. Rio Grande po ndodhë, shkoni shiheni vet. Më lejoni të deklaroj shumë qartë atyre që po përkrahin këto agjenda radikale, unë asnjëherë nuk do të nëshkruaj një projektligj që forcon lëshimin masiv të kriminelëve të dhunshëm në vendin tonë.”, ka thënë Trump./21Media

Back to top button