SHBA: Bllokadat politike zgjidhen vetëm nga liderët politik

Pas vendosjes së masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese për shkak të mos konstituimit të Kuvendit, Ambasada e SHBA-së në Kosovë iu ka bërë thirrje subjekteve politike që të shfrytëzojnë javën e ardhshme për t’ dhënë zgjidhje ngërçit të krijuar.
Ambasada e SHBA-ve në një përgjigje për RTV21 ka thënë se bllokada e krijuar në Kuvend vonon avancimin e Kosovës në rrugëtimin e saj euroatlantik.
“Ky bllokim i vazhdueshëm po vonon progresin në aspiratat e ardhshme të Kosovës dhe po rrezikon integritetin e institucioneve për të cilat populli i Kosovës luftoi aq fortë për t’i krijuar. Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve politikë t’i marrin seriozisht përgjegjësitë e tyre dhe të punojnë së bashku për të arritur një marrëveshje për konstituim të Kuvendit, që nënkupton zgjedhjen e një kryetari dhe zëvendëskryetarëve. Ata duhet t’i përdorin javët e ardhshme për të gjetur një rrugë përpara që siguron një udhëheqje të qëndrueshme në përputhje me Kushtetutën. Udhëheqësit politikë nuk duhet të mbështeten te Gjykata Kushtetuese për ta rregulluar një bllokim politik që vetëm ata mund ta zgjidhin. Populli i Kosovës pret nga udhëheqësit e tyre ta përmbushin angazhimin e tyre për të punuar në interesin më të mirë të vendit”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Kosovës. /RTV21