SHBA do të nënshkruajë marrëveshje për gazin me Evropën

Bashkimi Evropian pritet të bëjë të ditur një marrëveshje, sipas së cilës, Shtetet e Bashkuara do ta furnizojnë bllokun evropian me gaz të lëngshëm natyror, në mënyrë që të zëvendësohen importet ruse.
SHBA-ja është vendosur të sigurojë të paktën 15 miliardë metra kub të gazit të lëngshëm natyror deri në fund të vitit, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters.
Kombet evropiane po përpiqen të reduktojnë varësinë e tyre nga karburantet fosile ruse pas pushtimit të Ukrainës nga Moska.
BE-ja është zotuar të shkurtojë përdorimin e saj të gazit rus me dy të tretat këtë vit nëpërmjet importeve nga vendet e tjera dhe zgjerimit të energjisë së rinovueshme.
Duke folur të enjten mbrëma, kryeministri belg Alexander de Croo përshëndeti masën, duke thënë se do të ndihmonte në uljen e çmimeve të gazit në Evropë./21Media

Back to top button