SHBA-Izrael: Irani nuk duhet të ndërtojë armë bërthamore

Presidenti amerikan, Joe Biden rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të SHBA-së për sigurinë e Izraelit pas bisedimeve me kryeministrin, Yair Lapid sot në Jerusalem, mes kërcënimit të mundshëm bërthamor të paraqitur nga Irani.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës theksojnë se një pjesë integrale e këtij zotimi është angazhimi për të mos lejuar kurrë Iranin të ndërtonte një armë bërthamore”, thuhet në një deklaratë të përbashkët për shtyp të Biden dhe Lapid.
“SHBA-ja është e gatshme të përdorë të gjithë elementët e fuqisë së saj kombëtare për këtë qëllim”, tha Biden.
Ndërsa Lapid tha pas bisedimeve me Biden se vetëm një kërcënim i besueshëm ushtarak do ta ndalonte Iranin të ndërtonte një armë bërthamore.
“Diplomacia nuk mund t’i ndalojë ata. E vetmja gjë që mund të ndalë Iranin është vënia në dijeni se nëse ata vazhdojnë të zhvillojnë programin e tyre bërthamor, bota e lirë do të përdorte forcën”, tha Lapid.
Të dy udhëheqësit rikonfirmuan lidhjet e pathyeshme mes dy vendeve.
SHBA-ja është e përkushtuar për të forcuar aftësinë e Izraelit për t’u mbrojtur kundër çdo kërcënimi dhe do të punojnë me partnerë të tjerë për të përballuar agresionin dhe aktivitetet destabilizuese të Iranit”, thuhet në deklaratë.

Back to top button