SHBA-ja dhe BE-ja thirrje Qeverisë: Mos bëni veprime të njëanshme

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar Qeverinë e Kosovës se do të mbetet pa mbështetjen e aleatëve të saj nëse nuk i dëgjon këshillat e tyre. Paralajmërimet vijnë në kohën kur Qeveria e Kosovës ka vazhduar përpjekjet për hapjen e urës dhe ka bërë të ditur se kjo çështje nuk ka nevojë të diskutohet në Bruksel me Serbinë.
Bashkimi Evropian i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të vazhdojë bisedimet në Bruksel me Serbinë për çështjen e hapjes së urës së Ibrit. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se vazhdimi i bisedimeve nuk nënkupton që të arrihet një marrëveshje e re për urën, por për mënyrën e zbatimit të saj. Stano paralajmëroi Qeverinë se nëse nuk i dëgjon këshillat e aleatëve do të mbetet pa mbështetjen e tyre.
“Vetëm mund t’ua rikujtoj të gjithë atyre që kanë problem të dëgjojnë dhe të kuptojnë se të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës (BE, SHBA, NATO, Britania e Madhe…) e kanë thënë shumë qartë dhe pa mëdyshje, se është në interesin e Kosovës t’i dëgjojë miqtë dhe aleatët, përndryshe rrezikon të mbetet vetëm dhe prapa. Të merresh me çështjen e urës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja nënkupton të diskutosh modalitetet e zbatimit të marrëveshjeve të arritura për urën, jo marrëveshje të reja”, tha Stano.
Deklarimet e Stanos janë parë si tendencioze nga partia në pushtet Vetëvendosje. Deputeti Armend Muja, tha se Qeveria ka dëgjuar këshillat e bashkësisë ndërkombëtare për urën e Ibrit dhe se një marrëveshje për të është arritur kohë më parë në Bruksel dhe, sipas tij, tani ura vetëm duhet të hapet.
“Në faktë ne i kemi dëgjuar këshillat të faktorit ndërkombëtar, i kemi lëxuar edhe raportet e BE-së viteve të kaluara dhe të gjitha bëjnë thirrje për hapjen e urës së Ibrit pa pëngesa. Sa i përket deklaratave të Stanos, ky ka predispozitë të deklarojë gjithçka dhe të jetë kundër çfarëdo vendimi që merr Qeveria e Kosovës në raport me veriun. Thirrja ime ndaj tij është që të përmbahet”, tha Muja për rtv21.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ritheksuar se nuk e mbështesin në këtë kohë hapjen e urës së Ibrit në këtë kohë për qarkullimin e automjeteve. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Vedant Patel, tha se ShBA-ja nuk do të hezitojë të bëjë gjithçka për të mbrojtur njerëzit e saj në Kosovë nëse ka ngritje të tensioneve.
“Më lejoni të them vetëm se ne sigurisht nuk do të hezitojmë të bëjmë gjithçka që nevojitet për të mbajtur – për t’u siguruar që personeli amerikan dhe njerëzit tanë janë të mbrojtur. Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin asnjë lëvizje për të ndryshuar statusin aktual të urës së Mitrovicës në këtë moment”, tha Patel.
Deputeti i VV-së, Armend Muja, vlerëson se nuk ka vend për shqetësim sepse , siç thotë, gjendja e sigurisë në veri të vendit është stabile dhe se punimet për hapjen e urës duhet të vazhdojnë.
‘’Qeveria e Kosovës i ka bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për të koordinuar cdo veprim me aleatet. Na takon ne që të bëjmë sqarime, por puna duhet të vazhdojë për hapjen e urës. Nuk është çështja të data por ura duhet të hapet”, tha tutje Muja.
Presidentja Vjosa Osmani tha të enjten se hapja e Urës së Ibrit duhet të bëhet në koordinim me aleatët e Kosovës sepse, sipas saj, çdo veprim ndryshe do të nxisë prezencën edhe më të madhe të NATO-s në urën e Ibrit./RTV21/21Media