SHBA-ja e Izraeli bombardojnë Iranin, kundërpërgjigjet Teherani

(Lajm i përditësuar)

Pas sulmeve ndaj Iranit, Netanyahu bisedon me Trumpin në telefon

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka postuar një foto në rrjetet sociale ku ai shfaqet duke zhvilluar një bisedë telefonike.

Sipas njoftimit, Netanyahu po zhvillonte një bisedë me presidentin e SHBA-së Donald Trump.

Netanyahu është fotografuar në një tavolinë me librin “Aleatët në Luftë” nga Tim Bouverie.


Sulmi i SHBA-së dhe Izraelit në Iran, Von der Leyen bën thirrje për përmbajtje maksimale

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, sulmet e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit të shtunën i ka quajtur “shumë shqetësuese”. Derisa iu ka bërë thirrje “të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të mbrojnë civilët dhe të respektojnë plotësisht ligjin ndërkombëtar”.

“Zhvillimet në Iran janë shumë shqetësuese. Ne mbetemi në kontakt të ngushtë me partnerët tanë në rajon. Ne riafirmojmë angazhimin tonë të palëkundur për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Sigurimi i sigurisë bërthamore dhe parandalimi i çdo veprimi që mund të përshkallëzojë më tej tensionet ose të minojë regjimin global të mospërhapjes është me rëndësi kritike. Bashkimi Evropian ka miratuar sanksione të gjera në përgjigje të veprimeve të regjimit vrasës të Iranit dhe Gardës Revolucionare dhe ka promovuar vazhdimisht përpjekjet diplomatike që synojnë adresimin e programeve bërthamore dhe balistike përmes një zgjidhjeje të negociuar. Në koordinim të ngushtë me shtetet anëtare të BE-së, ne do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar që qytetarët e BE-së në rajon të mund të mbështeten në mbështetjen tonë të plotë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të mbrojnë civilët dhe të respektojnë plotësisht ligjin ndërkombëtar”, ka shkruar Von der Leyen përmes një shkrimi në platformën “X”./21Media

 

 


Liderët botërorë reagojnë pas sulmit të SHBA-së e Izraelit në Iran

Liderë botërorë kanë reaguar pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit të shtunën, sulme që Irani po ashtu iu kundërpërgjigj më vonë duke shënjestruar bazat amerikane në Lindjen e Mesme.

Një prej tyre ishte ndërmjetësuesi i bisedimeve Washington-Iran, ministri Badr Albusaidi i Omanit i cili  i kërkoi SHBA-së të mos përfshihet në konfliktin rajonal.

“Jam i tronditur. Negociatat aktive dhe serioze janë dëmtuar përsëri. As interesave të Shteteve të Bashkuara dhe as kauzës së paqes globale nuk i shërben kjo. Dhe lutem për të pafajshmit që do të vuajnë. I bëj thirrje Shteteve të Bashkuara të mos përfshihen më tej. Kjo nuk është lufta juaj”, ka thënë Albusaidi.

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, ka rikujtuar se blloku evropian ka miratuar “sanksione të gjera” në përgjigje të “regjimit vrasës” të Iranit.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të mbrojnë civilët dhe të respektojnë plotësisht ligjin ndërkombëtar”.

Presidenti francez ka bërë thirrje që përshkallëzimi ushtarak i vazhdueshëm të “ndalohet”. Emmanuel Macron theksoi se shpërthimi i luftës “bart pasoja të rënda për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.

“Regjimi iranian duhet të kuptojë se nuk ka më zgjidhje tjetër përveçse të angazhohet në negociata me mirëbesim për t’i dhënë fund programeve të tij bërthamore dhe balistike, si dhe veprimeve të tij që shkaktojnë destabilizim rajonal. Kjo është absolutisht thelbësore për sigurinë e të gjithëve në Lindjen e Mesme”.

Zyra e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, ka shprehur solidaritet me popullsinë civile të Iranit, duke thënë se vazhdon të kërkojë respekt për të drejtat civile dhe politike. Zyra shtoi se Meloni do të konsultohet me aleatët dhe udhëheqësit rajonalë për të mbështetur përpjekjet për të lehtësuar tensionet.

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, ka theksuar se vendi i tij “qëndron me popullin e guximshëm të Iranit në luftën e tyre kundër shtypjes” dhe se mbështet SHBA-në në përpjekjet për të parandaluar Iranin të pajiset me armë bërthamore.

Një zëdhënës i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se vendi “nuk dëshiron të shohë përshkallëzim të mëtejshëm në një konflikt më të gjerë rajonal”, duke shtuar, “ne jemi të gatshëm të mbrojmë interesat tona”.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka theksuar se Spanja nuk e pranon atë që ai e quajti veprim ushtarak të njëanshëm të kryer nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. Ai shtoi se sulmi ndaj Iranit shënon një përshkallëzim të qartë që thellon paqëndrueshmërinë në rajon.

“Ne gjithashtu i hedhim poshtë veprimet e regjimit iranian dhe Gardës Revolucionare. Nuk mund të përballojmë një tjetër luftë të zgjatur dhe shkatërruese në Lindjen e Mesme”, shkroi ai.

Ndërkohë, ministria e jashtme e Rusisë i ka përshkruar veprimet e SHBA-së dhe Izraelit si “të pamatura”, duke thënë se ato shkelin ligjin ndërkombëtar. Rusia bëri thirrje për një kthim në zgjidhjet politike dhe diplomatike.


SHBA-ja e Izraeli bombardojnë Iranin, kundërpërgjigjet Teherani

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka përshkruar si “operacion të madh luftarak” që po vazhdon dhe u ka bërë thirrje forcave të qeverisë iraniane që të dorëzojnë armët.

Më herët, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, njoftoi se Izraeli kishte nisur “sulm parandalues” ndaj Iranit, ndërsa shpërthime janë dëgjuar në disa pjesë të vendit.

Zhvillimet vijnë pas javësh kërcënimesh dhe negociatash lidhur me programin bërthamor të Iranit.

Çfarë ka ndodhur në Iran?

Pak pas orës 07:00, mediat iraniane raportuan për shpërthime në kryeqytet. Pamjet e publikuara tregojnë tym mbi sheshin Jomhouri dhe sheshin Hassan Abad në Teheran.

Shpërthime janë raportuar edhe në qytete të tjera, përfshirë Isfahanin, Qomin, Karajn dhe Kermanshahun. Deri tash të paktën 40 persona janë konfirmuar të vrarë.

Sipas agjencisë iraniane Tasnim, hapësira ajrore e Iranit është mbyllur pas sulmeve.

Trump e ka cilësuar operacionin si “masiv dhe në vazhdim”.

Çfarë kanë thënë SHBA-ja dhe Izraeli?

Donald Trump publikoi një video në rrjetin Truth Social, ku konfirmoi përfshirjen e SHBA-së.

“Pak kohë më parë, ushtria e Shteteve të Bashkuara nisi operacione të mëdha luftarake në Iran. Objektivi ynë është të mbrojmë popullin amerikan duke eliminuar kërcënimet e afërta nga regjimi iranian”, deklaroi Trump, duke shtuar se synimi i Washingtonit është “të sigurohet që Irani të mos pajiset me armë bërthamore”.

Ai u bëri thirrje qytetarëve iranianë të qëndrojnë në strehimore dhe të mos dalin nga shtëpitë.

“Kur të përfundojmë, merreni ju qeverinë. Do të jetë e juaja. Kjo mund të jetë ndoshta mundësia juaj e vetme për breza të tërë”, ka thënë ai.

Edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u bëri thirrje iranianëve “të hedhin poshtë tiraninë dhe të sjellin një Iran të lirë dhe paqësor”.

Duke falënderuar Trumpin, ai theksoi se Irani “nuk duhet të pajiset me armë bërthamore që do t’i lejonin të kërcënojë mbarë njerëzimin”.

“Veprimi ynë i përbashkët do të krijojë kushtet që populli guximtar iranian të marrë fatin në duart e veta”, deklaroi Netanyahu.

Ndërkohë, ministri izraelit i Mbrojtjes shpalli “gjendje të veçantë dhe të përhershme emergjente” në mbarë Izraelin.

Izraeli ka shënjestruar figurat e larta iraniane, përfshirë liderin suprem Ayatollah Khamenei.

Si është përgjigjur Irani?

Ushtria izraelite njoftoi se ka identifikuar raketa të lëshuara nga Irani drejt Izraelit dhe se po punon për “t’i interceptuar dhe goditur kërcënimet kur është e nevojshme”.

Shpërthime janë dëgjuar në qytetin Haifa dhe në zona të tjera të Izraelit, por nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për goditje direkte apo për interceptime në ajër.

Në rajon, Marina Amerikane, e vendosur në Bahrein, është “goditur nga një sulm me raketa”. Irani ka targetuar bazat amerikane, duke thënë se janë shënjestra legjitime.

Kjo ndodhi pasi Ministria e Brendshme e Bahreinit njoftoi për aktivizimin e sirenave emergjente dhe u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë të qetë dhe të drejtohen në vendet më të afërta të sigurta.

Ministria e Mbrojtjes e Katarit deklaroi se ka “neutralizuar me sukses një numër sulmesh që synonin territorin e vendit”, pasi shpërthime u dëgjuan në kryeqytetin Doha. Katari është vendndodhja e bazës më të madhe ushtarake amerikane në rajon, Al Udeid.

Pothuajse të gjitha fluturimet në Lindjen e Mesme janë anuluar.

Mediat shtetërore në Emiratet e Bashkuara Arabe kanë raportuar se një person është vrarë në Abu Dhabi.


Kosova qëndron krah SHBA-së në sulmin ndaj Iranit

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) ka shprehur mbështetjen për sulmin ushtarak të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Iranit.

Në një deklaratë në Facebook të shtunën, MPJD-ja thekson se SHBA-ja ka ndërmarrë veprime ushtarake ndaj regjimit të Ajatollahëve në Iran, të cilin e cilëson si regjim që për dekada ka shtypur popullin e vet, ka destabilizuar rajonin dhe ka kërcënuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

“Ne qëndrojmë krah Presidentit Donald Trump në përpjekjen për të frenuar regjimet që kërcënojnë popujt e lirë, për të mbrojtur stabilitetin global dhe për të mbështetur aspiratat legjitime të popullit iranian për liri, dinjitet dhe demokraci”, thuhet në deklaratë.

Tutje, Ministria vlerëson se regjimet që shtypin qytetarët e tyre, mbështesin dhunën ndaj vendeve demokratike dhe kërcënojnë popuj të tjerë, nuk mund të jenë faktor paqeje.

Sipas MPJD-së, liria, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë vlera universale që meritojnë mbrojtje të palëkundur.

“Në këtë frymë, qëndrojmë të vendosur kundër regjimit iranian dhe në mbështetje të presidentit Trump, duke u solidarizuar me popullin iranian për një të ardhme të lirë dhe demokratike”, përfundon reagimi i Ministrisë.


Vjen reagimi i parë nga Rusia pasi SHBA dhe Izraeli sulmojnë Iranin

Nënkryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë dhe ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, ka reaguar pas sulmeve të përbashkëta amerikano-izraelite ndaj Iranit.

Në një koment të publikuar në platformën “X”, Medvedevi ka thënë se bisedimet me Iranin ishin vetëm një mbulesë.

“Ja ku është sërish paqebërësi. Bisedimet me Iranin ishin vetëm një mbulesë. Të gjithë e dinin këtë. Tani, kush ka më shumë durim për të pritur fundin e trishtueshëm të armikut? SHBA-ja është vetëm 249 vjeç. Perandoria Perse u themelua më shumë se 2.500 vjet më parë. Le të shohim çfarë do të ndodhë pas rreth njëqind vjetësh…”, ka shkruar ai.


​Irani kërcënon Izraelin dhe Amerikën me përgjigje “vendimtare dhe të fuqishme”

Irani i ka quajtur shkelje të sovranitetit të vetë dhe shkelje të Nenit 2(4) të Kartës së OKB-së sulmet që ndaj tij kryen Amerika dhe Izraeli, ndërsa këto dy shtet i ka akuzuar për agresion ushtarak.

Ministria e Jashtme e këtij vendi tha në një deklaratë se sulmet kishin në shënjestër infrastrukturë mbrojtëse dhe objekte civile në disa qytete dhe ato, siç u shtuan, u kryen në një kohë kur Teherani dhe Uashingtoni ishin të angazhuar në një proces diplomatik.

Sipas këtij institucioni të Republikës Islamike, Irani i kishte dhënë përparësi diplomacisë për të parandaluar luftën, ndërsa ka shtuar që “tani ka ardhur koha për të mbrojtur atdheun” dhe se forcat e armatosura do të përgjigjen në mënyrë “vendimtare dhe të fuqishme”, raporton AA, përcjell KosovaPress.

Teherani pohoi të drejtën e tij për vetëmbrojtje sipas Nenit 51 të Kartës së OKB-së dhe i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe komunitetit ndërkombëtar që të dënojnë sulmin e përbashkët SHBA-Izrael dhe të ndërmarrin veprime urgjente.

Izraeli dhe SHBA-ja nisën një sulm të përbashkët ndaj Iranit herët të shtunën, duke thënë se ai kishte për qëllim eliminimin e kërcënimeve të pretenduara që paraqiste “regjimi iranian”.


Kallas: Zhvillimet e fundit në Lindje të Mesme, “të rrezikshme”

Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, ka reaguar pas shpërthimit të luftës në Lindjen e Mesme, si rezultat i sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.

Ajo ka thënë se këto zhvillime në gjithë Lindjen e Mesme janë të rrezikshme, duke treguar se misioni detar i BE-së “Asipdes” është vënë në gjendje të lartë gatishmërie.

Kallas gjithashtu ka thënë se po koordinohen ngushtë me partnerët arabë për të eksploruar rrugët diplomatike, pa përmendur fare Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Zhvillimet e fundit në të gjithë Lindjen e Mesme janë të rrezikshme. Regjimi i Iranit ka vrarë mijëra njerëz. Programet e tij të raketave balistike dhe bërthamore, së bashku me mbështetjen për grupet terroriste, përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë globale. BE-ja ka miratuar sanksione të forta kundër Iranit dhe ka mbështetur zgjidhjet diplomatike, përfshirë çështjen bërthamore.Kam folur me Ministrin e Jashtëm të Izraelit, Saar, dhe ministra të tjerë në rajon. BE-ja po koordinohet gjithashtu ngushtë me partnerët arabë për të eksploruar rrugë diplomatike”, ka shkruar ajo.

“Mbrojtja e civilëve dhe e drejta ndërkombëtare humanitare është një përparësi. Rrjeti ynë konsullor është plotësisht i angazhuar në lehtësimin e largimeve për qytetarët e BE-së. Personeli jo-thelbësor i BE-së po tërhiqet nga rajoni.Misioni ynë detar Aspides mbetet në gatishmëri të lartë në Detin e Kuq dhe është gati të ndihmojë në mbajtjen e hapur të korridorit detar”, ka përfunduar Kallas.


Njoftim me rëndësi nga MPJD: Shtetasit e Kosovës në Arabinë Saudite, Kuvajt, Bahrein dhe Oman të bëjnë kujdes maksimal

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës pas situatës së krijuar në Lindjen e Mesme u ka bërë apel shtetasve të Kosovës që ndodhen në këtë rajon të kenë kujdes maksimal.

Në njoftimin e MPJD-së është dhënë edhe numri i telefonit të ambasadës së Kosovës në Riad +966 53 750 88 35, për të gjithë ata që kanë nevojë.

Njoftimi i plotë:

Ambasada e Republikës së Kosovës në Riad i këshillon shtetasit e Kosovës me qëndrim në Arabinë Saudite, Kuvajt, Bahrein dhe Oman, që të bëjnë kujdes maksimal në gjendjen s rritjes së tensioneve në rajon, pasi ekziston rrezik i shtuar për përshkallëzim, i cili mund të sjellë ndërprerje të udhëtimeve dhe ndikime të tjera të paparashikuara.

Këshillohen shtetasit e Kosovës që:

T’i ndjekin kumtesat zyrtare dhe këshillat e autoriteteve vendore.

Të ndjekin raportet e medieve zyrtare.

Të shmangin zonat pranë objekteve të sigurisë dhe atyre ushtarake.

Ambasada do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe do të njoftojë për çdo zhvillim të ri.

Për raste urgjente, ju lutem kontakoni numrin urgjent të ambasadës tonë në Riad +966 53 750 88 35


Izraeli thotë se sulmet në Iran ishin koordinuar me SHBA-në muaj më herët

Izraeli ka thënë se sulmi kundër Iranit të shtunën ka qenë “operacion i gjerë, i koordinuar dhe i përbashkët kundër regjimit” që ishte planifikuar prej muajsh mes ushtrisë izraelite dhe amerikane.

Sulmet e SHBA-së u kryen nga qielli dhe deti, sipas një zyrtari amerikan.

Ndërkohë, nga qeveria gjermane kanë konfirmuar se kanë qenë të informuar paraprakisht për sulmet e Izraelit në Iran, raportoi AP.


MPJD del me apel për shtetasit e Kosovës në Izrael: Tregoni vigjilencë, ndjekni njoftimet zyrtare

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dalë me njoftim për kosovarët të cilët gjinden në Izrael.

Përmes një njoftimi në Facebook, MPJD i ka kërkuar qytetarëve vigjiliencë të shtuar dhe të ndjekin me kujdes njoftimet zyrtare.

“Në vazhdën e situatës së jashtëzakonshme, u bëjmë apel të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që ndodhen në Izrael të tregojnë vigjilencë të shtuar, të ndjekin me kujdes njoftimet zyrtare dhe të zbatojnë udhëzimet e sigurisë të autoriteteve vendore. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, së bashku me Ambasadën e Kosovës në Izrael, po monitorojnë nga afër zhvillimet aktuale. Ju informojmë se Ambasada e Kosovës në Izrael është plotësisht në dispozicion të qytetarëve tanë dhe mbetet në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse vendase. Për çdo rast urgjent, qytetarët e Republikës së Kosovës që ndodhen në Izrael mund të kontaktojnë në numrin: +972 586 340450. Ju lutemi që numri i emergjencës të përdoret vetëm nga qytetarët që aktualisht ndodhen në Izrael. Ky kontakt nuk është i dedikuar për kërkesa nga mediat. MPJD dhe Ambasada do të vazhdojnë të informojën rregullisht për çdo zhvillim të ri”, thuhet në njoftim./21Media


Netanyahu: Regjimi iranian ‘nuk duhet të jetë i armatosur me armë bërthamore’

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka dalë me një deklaratë rreth sulmeve të nisura mëngjesin e sotëm në koordinim me Amerikën ndaj Iranit.

“Vëllezërit dhe motrat e mia, qytetarë të Izraelit, pak kohë më parë, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nisën një operacion për të hequr kërcënimin ekzistencial që paraqet regjimi terrorist në Iran”, raporton BBC.

“Falënderoj mikun tonë të madh, Presidentin Donald Trump, për udhëheqjen e tij historike. Për 47 vjet, regjimi i Ajatollahëve ka bërtitur ‘Vdekje Izraelit’, ‘Vdekje Amerikës’.

“Ka derdhur gjakun tonë, ka vrarë shumë amerikanë dhe ka masakruar popullin e vet. Ky regjim terrorist vrasës nuk duhet të jetë i armatosur me armë bërthamore që do ta lejonin të kërcënonte të gjithë njerëzimin. Veprimi ynë i përbashkët do të krijojë kushtet që populli i guximshëm iranian të marrë fatin e tij në duart e veta”, deklaroi ai.

Për sulmin ka folur edhe presidenti amerikan, Donald Trump.


Irani nis sulmin me raketa ndaj Izraelit, thotë ushtria izraelite

Irani raportohet se ka lëshuar raketa drejt Izraelit, pasi kjo e fundit në bashkëpunim me amerikanët kanë nisur një fushatë ajrore ndaj Teheranit.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se kanë identifikuar raketa të lëshuara nga Irani drejt Shtetit të Izraelit.

“Pak më parë, IDF identifikoi raketa të lëshuara nga Irani drejt territorit të Shtetit të Izraelit. Sistemet mbrojtëse po operojnë për të ndërprerë kërcënimin”, njofton IDF.

“Në minutat e fundit, Komanda e Frontit të Brendshëm ka dërguar një udhëzim paraprak direkt në telefonat celularë në zonat përkatëse. Qytetarëve u kërkohet të veprojë në mënyrë të përgjegjshme dhe të ndjekë udhëzimet – ato shpëtojnë jetë”, thuhet më tutje.

“Pasi të marrë një alarm, publiku udhëzohet të hyjë në një hapësirë të mbrojtur dhe të qëndrojë aty deri në njoftim të mëtejshëm. Dalja nga një hapësirë e mbrojtur lejohet vetëm pas marrjes së udhëzimeve të qarta. Qytetarëve u kërkohet të vazhdojnë të veprojnë në përputhje me udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm”.

Ndryshe, në qytetet izraelite tashmë dëgjohen sirenat që paralajmërojnë rrezik nga ajri.


Ambasada e Kosovës në Izrael apelon shqiptarët atje: Zbatoni udhëzimet e sigurisë

Ambasadorja e Kosovës në Izrael, Ines Demiri, ka bërë thirrje që qytetarët kosovarë që ndodhen në Izrael të jenë të kujdesshëm, pas sulmit të kryer sot nga Izraeli ndaj Iranit.

Përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook, ambasadorja ka sqaruar se për çdo situatë urgjente, qytetarët mund të kontaktojnë numrin +972 586 340450.

“Në vazhdën e situatës së jashtëzakonshme, u bëjmë apel të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që ndodhen në Izrael të tregojnë vigjilencë të shtuar, të ndjekin me kujdes njoftimet zyrtare dhe të zbatojnë udhëzimet e sigurisë të autoriteteve vendore. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, së bashku me Ambasadën e Kosovës në Izrael, po monitorojnë nga afër zhvillimet aktuale. Ju informojmë se Ambasada e Kosovës në Izrael është plotësisht në dispozicion të qytetarëve tanë dhe mbetet në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse vendase. Për çdo rast urgjent, qytetarët e Republikës së Kosovës që ndodhen në Izrael mund të kontaktojnë në numrin: +972 586 340450”, ka shkruar ajo.

Demiri theksoi se MPJD dhe Ambasada po ndjekin nga afër situatën dhe janë në gatishmëri për të ofruar ndihmë.

“Ju lutemi që numri i emergjencës të përdoret vetëm nga qytetarët që aktualisht ndodhen në Izrael. Ky kontakt nuk është i dedikuar për kërkesa nga mediat. MPJD dhe Ambasada do të vazhdojnë të informojën rregullisht për çdo zhvillim të ri”, ka shkruar ndër të tjera ambasadorja Demiri.


Media shtetërore iraniane thotë se presidenti i Iranit është gjallë dhe i sigurt

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, është gjallë, tha agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA, duke cituar një burim pranë presidencës.

Pezeshkian “është në gjendje të mirë shëndetësore”, tha IRNA në një postim të shkurtër në Telegram, shkruan CNN.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump në videon e tij që konfirmoi sulmet e SHBA-së ndaj Iranit ku iu bëri thirrje iranianëve që të shfrytëzojnë këtë kohë dhe të marrin në kontroll qeverinë e tyre.


Trump: Ushtria amerikane ka nisur operacione të mëdha luftarake në Iran

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka konfirmuar se SHBA-ja ishte e përfshirë në sulmin ndaj Iranit.

Trump ka thënë se SHBA-ja kanë nisur “operacione të mëdha luftarake” në Iran në një video të postuar në Truth Social.

“Ushtria e Shteteve të Bashkuara po ndërmerr një operacion masiv dhe të vazhdueshëm për të parandaluar që kjo diktaturë shumë e ligë dhe radikale të kërcënojë Amerikën dhe interesat tona thelbësore të sigurisë kombëtare”, ka deklaruar ai.

“Ne do t’i shkatërrojmë raketat e tyre dhe do ta rrafshojmë industrinë e tyre të raketave”.

Trumpi ka pretenduar se Irani ka vazhduar të zhvillojë programin e tij bërthamor dhe planifikon të zhvillojë raketa për të arritur SHBA-në.

Ai i inkurajoi iranianët të marrin kontrollin e qeverisë së tyre kur të përfundojnë operacionet ushtarake amerikane.

“Kur të mbarojmë, merrni qeverinë tuaj. Do të jetë e juaja për ta marrë. Ky do të jetë ndoshta shansi juaj i vetëm për breza të tërë”, theksoi presidenti në një mesazh video.

Trumpi shtoi se SHBA-ja nuk kishte marrë një “vendim përfundimtar” nëse do ta sulmonte Iranin – por theksoi se ai “nuk ishte i kënaqur” me pozicionin e tyre negociues gjatë bisedimeve bërthamore.

Më herët dy zyrtarë amerikanë thanë për CNN-in se SHBA-ja po kryen sulme kundër Iranit. Një zyrtar tha se sulmet janë në vazhdim, duke i përshkruar ato si “një sulm jo i vogël”.

Mediat e huaja paraprakisht raportuan sipas burimeve se sulmi i Izraelit ndaj Iranit të shtunën ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara.

Izraeli nisi atë që e ka quajtur “sulm parandalues” kundër Iranit mëngjesin e së shtunës. Ministri Izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka shpallur një “gjendje të jashtëzakonshme të veçantë” në të gjithë Izraelin.


CNN: Sulmi ndaj Iranit i koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës

SHBA-ja po kryen sulme kundër Iranit, kanë thënë dy zyrtarë amerikanë për CNN-in. Një zyrtar tha se sulmet janë në vazhdim, duke i përshkruar ato si “një sulm jo i vogël”.

Mediat e huaja paraprakisht raportuan sipas burimeve se sulmi i Izraelit ndaj Iranit të shtunën ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara.

Izraeli nisi atë që e ka quajtur “sulm parandalues” kundër Iranit mëngjesin e së shtunës. Ministri Izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka shpallur një “gjendje të jashtëzakonshme të veçantë” në të gjithë Izraelin.

Sulmet vijnë pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kaloi javë duke kërcënuar se do të godiste Iranin për shkak të programit të tij bërthamor, si dhe për shkak të një shtypjeje të brendshme në Iran që ka vrarë mijëra protestues.


Izraeli nis sulmin kundër Iranit, shpall gjendje të jashtëzakonshme në vend

Izraeli nisi atë që e quajti një “sulm parandalues” kundër Iranit të shtunën në mëngjes, sipas Ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz, dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin. Një burim izraelit i tha CNN se sulmi ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara.

Sulmi vjen pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump kaloi javë duke kërcënuar se do ta godiste Iranin për programin e tij bërthamor , si dhe një shtypje të brendshme që ka vrarë mijëra protestues.

Izraeli mbylli hapësirën ajrore të shtunën në mëngjes, tha Ministria e Transportit, pasi vendi kreu sulme ajrore ndaj Iranit, shkruan CNN.

Ende nuk është e qartë se si do të reagojë Irani. Zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar më parë se trupat amerikane në rajon mund të jenë në shënjestër nëse sulmohet.

Back to top button