SHBA-ja thellësisht e zhgënjyer me vendimin e Kosovës për mbyllje të degëve të Postës së Serbisë

Qeveria amerikane ka reaguar për mbylljen e nëntë pikave të Postës së Serbisë në veri të Kosovës nga autoritetet kosovare.
SHBA në reagimin e saj ka thënë se është thellësisht e zhgënjyer me ato që i ka cilësuar veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës kundër degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës.
“Veprimet e pakoordinuara të Kosovës përballin shtetasit e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it me rrezik të madh, nxisin përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtare”, është thënë në reagimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Tutje në këtë deklaratë i është bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’iu japë fund veprimeve të njëanshme dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për t’i zgjidhur çështjet e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë./21Media