SHBA, konfirmohet vrasja e përfaqësueses demokratike dhe burrit të saj

Zyrtarët amerikanë kanë konfirmuar se politikania demokrate Melissa Hortman është vrarë dhe burri i saj Mark Hortman është qëlluar gjithashtu për vdekje nga të shtënat sot në Minesota.
Mediat lokale amerikane raportuan sot se senatori John Hoffman dhe përfaqësuesja Melissa Hortman, demokratë nga Minesota, u plagosën së bashku me bashkëshortët e tyre në të shtënat sot në qytetet Champlin dhe Brooklyn Park.
Guvernatori i Minesota, Tim Walz, konfirmoi se Melissa Hortman dhe bashkëshorti i saj, Mark, u vranë këtë mëngjes në atë që ai e quajti një “vrasje me motive politike”, raporton KosovaPress.
Policia thotë se sulmuesi ndoshta u paraqit si oficer policie dhe iku pasi hapi zjarr ndaj oficerëve.
Presidenti amerikan Donald Trump tha se ishte informuar për “të shtënat e tmerrshme” në Minesota dhe se gjithçka tregon për një “sulm të synuar ndaj ligjvënësve të shtetit”.
Prokurorja e përgjithshme Pam Bondi dhe FBI po hetojnë situatën dhe do të ndjekin penalisht të gjithë të përfshirët në masën më të plotë të ligjit, shtoi ai në iks.
Komisionari i Sigurisë Publike të Minesota, Bob Jacobson, tha “kjo është një ditë e errët”, por se autoritetet “nuk do të lejojnë që frika ose dhuna të përcaktojnë se kush jemi dhe si ecim përpara”.
Drew Evans nga Policia Shtetërore Minesota tha se oficerët morën një telefonatë në orën 2:00 të mëngjesit sipas kohës lokale në lidhje me incidentin. Telefonata e dytë erdhi në orën 3:35 të mëngjesit, ndërsa oficerët po kontrollonin në mënyrë pro-aktive shtëpinë e politikanes demokrate Melissa Hortman.
Sipas Evans, policia beson se personi i armatosur u maskua si oficer policie dhe iku pasi shkëmbeu zjarr me policinë që iu përgjigj sulmeve.
Melissa Hortman ishte një kongresiste demokrate e shquar nga Brooklyn Park, dhe sipas raporteve të mëparshme, ajo dhe bashkëshorti i saj u vranë nga një person i armatosur i maskuar si oficer policie. Hetimi është ende duke vazhduar.