SHBA prapë me një deklaratë për taksën

“Pezullim i menjëhershëm i tarifës në importet nga Serbia dhe Bosnja është një masë e nevojshme për të rimëkëmbur momentumin në procesin e dialogu”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin plotësisht dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, kështu thuhet në fillim të një deklarate nga Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë.

Një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe me dobishmëri të ndërsjellë sipas kësaj deklarate është në interesin strategjik të SHBA-ve. “Ju nxis juve dhe udhëheqësve të Kosovës që të shfrytëzoni këtë moment unik, të flisni me zë të unifikuar gjatë bisedimeve të paqes, dhe që të përmbaheni nga veprimet që mund ta bëjnë më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje”, thuhet tutje në deklaratë duke përsëritur atë që komunikoi presidenti Trump në letrën e tij me presidentin Thaçi.

“Disa komentatorë dhe politikanë sugjeruan që statusi i Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, dhe i rreshtuar afër me Shtetet e Bashkuara, do ta mbrojnë atë nga të gjitha pasojat e vendimeve të tij në arenën ndërkombëtare. Ne këshillojmë kundër të supozuarit se Kosova apo cilido mik tjetër i Shteteve të Bashkuara mund të ndërmarrë veprime që janë kundër interesave tona strategjike pa u ballafaquar me pasojat për marrëdhënien tonë bilaterale”, thuhet në deklaratë.

Me anë të kësaj deklarate për medie, Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë u kanë bërë thirrje hisedarëve nga Kosova dhe tjerëve nga rajoni që të tregojnë përkushtim ndaj normalizimit, paqes e stabilitetit rajonal,dhe ndaj lëvizjes nëpër shtegun drejt integrimit evropian. “Ne ritheksojmë pikëpamjen tonë se një pezullim i menjëhershëm i tarifës në importet nga Serbia dhe Bosnja është një masë e nevojshme për të rimëkëmbur momentumin në procesin e dialogut. Presim edhe nga hisedarët e tjerë të ndërmarrin masat e tyre konstruktive”, thuhet tutje.

Sipas tyre Kosova është e suksesshme kur bashkohet nga brenda dhe hyn në partneritet me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në. “Ne inkurajojmë të gjitha partitë politike që të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në këtë proces. Veprimet që minojnë dialogun, pengesat nga anash dhe refuzimi për të pezulluar tarifat – të gjitha këto shkojnë kundër interesave të SHBA-ve. Ajo çka është e nevojshme tani është një lidership i guximshëm për të promovuar qëllimet tona të përbashkëta. Kjo është ajo që na ndihmon neve për të mbajtur një marrëdhënie të fortë bilaterale”, thuhet në fund të kësaj deklarate.

Pas fushatës së Serbisë për mos anëtarësimin e Kosovës në Interpol, Kosova ka vendosur masën 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës më 21 nëntor, ndërsa më 28 dhjetor të vitit 2018, kjo taksë ka hyrë në fuqi edhe për brendet ndërkombëtare që importohen nga këto dy shtete. Kundër kësaj takse janë shprehur Bashkimi Evropian e po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës./21Media

Back to top button