SHBA-të pritet të rikthehen në Ballkan

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duke folur për përpjekjen e tij për të arritur paqe mes Izraelit dhe Iranit, ka përmendur ndërmjetësimin e tij në raportet mes Kosovës dhe Serbisë si shembull të rolit të SHBA-së në parandalimin e konflikteve nëpër botë. Trump, ka përmendur marrëveshjen e vitit 2020 të nënshkruar në Washington mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se një gjë të tillë ka ndërmend ta bëjë sërish.
“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova ishin duke shkuar drejt një përplasje të ashpër, siç kanë bërë për dekada, dhe ky konflikt afatgjatë ishte gati të shpërthente në LUFTË. E ndalova atë (Biden e ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të pakuptimta, por unë do ta rregulloj, sërish!)”
Kosova dhe Serbia, gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump, në shtator të vitit 2020, nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë, Marrëveshjen e Uashingtonit për normalizim ekonomik, në praninë e tij. Megjithatë, përveç njohjes që përfitoi Kosova nga Izraeli, asnjë pikë tjetër e marrëveshjes nuk gjeti zbatim. Në këtë situatë, ushtaraku në pension Hysen Gecaj, thotë se fakti që Kosova përmendet në shkrimet e presidentit Trump, flet për fokusin që SHBA-të, kanë në Ballkan.
“Kjo deklaratë tregon se SHBA nuk e humb fokusin nga Ballkani dhe nga Kosova pavarësisht deklarimeve nëpër koluare të ndryshme se luftërat e mëdha e shpërqëndrojnë vëmendjen:”:”:”:”, tha Gecaj për rtv21
Një numër vendimesh të marra në veri të vendit nga autoritetet në Kosovë, përgjatë qeverisë Kurti, hasën në kundërshtim të ashpër të SHBA-së dhe BE-së. Ish-ambasadori i SHBA-ve në Kosovë përjashtimin nga defender Europe 2023 e kishte cilësuar si pasojë e parë e veprimeve të qeverisë në veri të vendit. Megjithatë, 2 vjet pas Kosova u bë nikoqire e 29 shteteve të botës të cilat realizuan stërvitje ushtarake në territorin e Kosovës.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi, thotë se kjo është një tregues i qartë se SHBA-të, po krijojnë kushte për një marrëveshje përfundimtare.
“ Ajo që pritet është që të vijë industria Amerikane në Ballkan marrë parasysh se Trump e ka prioritet ekonominë dhe se beson që vetëm ekonomia është ajo që ndikon tek të dyja vendet”:”:””, deklaroi ai për rtv21
BE-ja me vite është munduar që të normalizojë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë përmes tryezës së dialogut në Bruksel. Megjithatë, pa ndonjë rezultat konkret.
Hulmtuesi i institutit Oktapus, Gurakuç Kuçi, vlerëson se SHBA-ja mund ta bëjë një gjë të tillë.
“E kemi mirëpritur këtë deklaratë, pasi që BE-ja deri më tash ka dështu që ta normalizojë situatën për më shumë se një dekadë nuk ka pasur sukses dhe sërish kemi pasur tensione, besojmë që presidenti Trump dhe SHBA-të e arrijnë një gjë të tillë”, tha Kuçi.
Qeveria në detyrë në vazhdimësi ka deklaruar se Serbia është duke u përgatitur për një sulm të ngjashëm me sulmin e 24 shtatorit 2023. Deklarata të cilat sipas njohësve të çështjeve të sigurisë bëhen për konsum publik dhe për të tërhequr vëmendjen nga paaftësia e formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. /RTV21/21Media