SHEcurity & Hackathon 2025 synon fuqizimin e vajzave e grave në shoqëri

Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në ICT, është organizuar ngjarja e sigurisë kibernetike “SHEcurity conference & Hackathon 2025”, nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës.
Kjo konferencë vlerësohet e rëndësishme pasi krijon hapësirë për avancimin e barazisë gjinore në fushën e teknologjisë, duke ndihmuar në ndërtimin e një rrjeti mbështetës për vajzat dhe gratë në ICT, si dhe nxit bashkëpunimin ndërmjet institucioneve arsimore dhe sektorit të industrisë për të përgatitur më mirë të rinjtë për sfidat reale të sigurisë kibernetike.
Profesori i lëndëve të sigurisë kibernetike në FIEK, Blerim Rexha tha se ky fakultet ka organizuar gara të sigurisë kibernetike qe nga viti 2015, duke përmirësuar aftësitë e studentëve.
Ai potencoi se ky vit është i rëndësishëm pasi është krijuar për herë të parë platforma Capture the Flag (CTF) derisa shtoi se organizimi i “SHEcurity & Hackathon 2025” synon fuqizimin e pozicionit të vajzave dhe grave në shoqërinë tonë.
“Fakulteti jonë tani e shumë vite organizon gara të sigurisë kibernetike. Rikujtojmë se nga viti 2015, studentët tanë marrin pjesë në këso gara duke i përmirësuar shkathtësitë e tyre në fushën e sigurisë…Katër vjetët e fundit kemi pasur aktivitete për në universitetin e Ajovës për Cybersecurity Defense Challenge. Qe nga viti i kaluar pjesë e Cyber Kosova Team janë studentët e UP-së, fakultetit tonë. Këtë vit një pjesë e madhe e tyre garojnë për një vend në Kosova Cyber Team. Këtë vit për herë të parë UP-ja, fakulteti jonë ka platformën e vet Capture the Flag siç e kanë universitetet e tjera në rajon. Sot, për të fuqizuar pozicionin e vajzave dhe gruas në shoqërinë tonë e kemi bërë organizimin SHEcurity and Hackathon 2025”, theksoi Rexha.
Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Isak Shabani theksoi rëndësinë globale të përfshirjes së vajzave dhe grave në fushën e ICT-së. Ai përmend se dikur pjesëmarrja e tyre ka qenë shumë e ulët, çka ka ndikuar në përfaqësimin e dobët në pozita drejtuese dhe industrinë teknologjike.
Megjithatë, sipas Shabanit sot ka përparim dhe synohet një përfaqësim më i barabartë në të ardhmen.
“Kjo ditë është shumë e rëndësishme jo vetëm për fakultetin tonë, por për tërë shoqërinë, jo vetëm në vendin tonë por anë e kënd botës. Për këtë arsye ne si fakultet jemi angazhuar që sot përveç organizimeve të shumta në vazhdimësi që kemi pasur, me punën që bëjnë mësimdhënësit tanë për studentët e fakultetit tonë, ne t’u ofrojmë për Ditën Ndërkombëtare të Vajzave dhe Grave t’u mundësojmë një konferencë “SHEcurity conference & Hackathon 2025”… Kur kam qenë student në vitet e 90-ta në këtë fakultet, ka qenë një përqindje shumë e vogël e vajzave… Kjo ka ndikuar që sot të mos kemi përfshirje të vajzave në të gjitha pozicionet edhe në industri, pozita menaxhuese, institucione publike dhe në vendet tjera. Mirëpo, sipas disa statistikave që kam shikuar në vazhdimësi, sot përfshirja e menaxhimit dhe lidershipit të vajzave dhe grave globalisht është 40 për qind. Por, në fushat e ICT-së për shkak se më herët në fushat e inxhinierisë nuk kanë studiuar shumë. Ndërsa, ne në të ardhmen presim që përfaqësimi i vajzave dhe grave nëpër të gjitha institucionet dhe të gjitha partneritetet publike dhe private të jetë ndryshe”, tha Shabani.
Ndërsa, prodekania për Studime të Doktoratës dhe Sigurim të Cilësisë në UP, Majlinda Gjelaj tha se Kosova, ndonëse vend i vogël, ka ëndrra të mëdha që realizohen përmes punës dhe përkushtimit të të gjithë studentëve, pa dallim gjinie.
Ajo tha se Universiteti i Prishtinës zotohet të mbështesë këtë përkushtim jo vetëm përmes konferencave, por edhe aktiviteteve konkrete, rishikimit të programeve mësimore dhe garantimit të mirëqenies studentore, duke vendosur drejtësinë sociale dhe cilësinë në arsim si prioritet.
“Kemi ardhur në një kohë që mund të mendojmë mos po iu hyjmë në hak djemve. Kjo është vërtetë një arritjen e madhe, jo që të ndihen keq djemtë por është një lloj barazie që është arritur në shoqëri përmes investimit në edukim që nga mosha e hershme, derisa jeni student… Kosova është një vend i vogël, por me ëndrra shumë të mëdha dhe këto ëndrra ne do t’i bëjmë realitet me punë me përkushtim dhe puna e përkushtimi juaj, qofshi djalë apo vajzë, grua apo burrë do të mbështetet në vazhdimësi nga Universiteti i Prishtinës. Pra, jo vetëm me këtë konferencë, por edhe me aktivitete të tjera, rishikim të syllabusëve që të ketë cilësi çdo ditë, në çdo ligjëratë që organizohet në këtë universitet, që të ketë drejtësi sociale, mirëqenie të studentëve, sepse këto janë dhe duhet të jenë prioritetet e një universiteti”, potencoi Gjelaj.
Menaxherja e Operacioneve në Raiffeisen Tech Kosova, Drenusha Shehu theksoi se Raiffeisen po sponsorizon për herë të katërt këtë event për shkak të cilësisë, bashkëpunimit dhe mendësisë së hapur që ofron.
Shehu potencoi se megjithëse vjen nga sektori bankar, e sheh si të rëndësishme përhapjen e metodologjisë agile në Sigurinë Kibernetike në industrinë kosovare, dhe përmes konferencës synojnë të sjellin eksperienca praktike që pjesëmarrësit mund t’i aplikojnë më pas.
“Ky është eventi i katërt që ne si Raiffeisen jemi duke e sponsorizuar, për një arsye, sepse këtu ka cilësi, ka bashkëpunim dhe një mendësi të hapur për të bërë eksperienca të ndryshme… Unë nuk vij nga sektori i teknologjisë, sfondi im është në sektorin bankar. Shumë shpesh besoj e keni dëgjuar fjalën ‘agile’ – nuk është diçka risi. Tanimë edhe në Kosovë, kjo praktikë ka qenë shumë e përhapur në Evropë. Tani është përhapur edhe në industri në Kosovë. Kemi zgjedhur t’i shtojmë vlerë kësaj konferencë duke i sjellë disa eksperienca si aplikohet agile, cilat janë përparësitë dhe çka mund të merrni ju të aplikoni pas kësaj konference”, thekson Shehu.
Studentja e doktoratës në FIEK, Arbena Musa tha se kanë transformuar mënyrën e vlerësimit në lëndët e sigurisë, përmes aktivitetit Capture the Flag (CTF).
Prezantimi për të cilin flet Musa titullohet “Why CTF?”, duke theksuar rëndësinë e praktikës në mësim. Musa potencoi se ky është një ndryshim i madh në qasjen akademike, pasi tradicionalisht kritikat nga industria kanë qenë se universiteti është shumë teorik.
“Kemi transformuar vlerësimin që kemi në lëndët e sigurisë. Përkatësisht studentët e vitit të tretë që veçse e përfundojnë 30 për qind të lëndës me pjesëmarrjen qe e kanë pas sot dhe pikët që i kanë pasur në Cature the Flag. Prezantimin e kemi quajtur Why CTF? Kjo për neve është një ndryshim shumë i madh në kuadër të lëndëve që i mbajmë. Zakonisht jemi mësuar që nga industria të akuzohemi për shkak se jemi perfekt në teori, por jo edhe aq shumë në praktikë. E që çdo vit e më tepër po mundohemi që ta transformojmë mënyrën se si studentët mësojnë dhe se si i dëshmojnë aftësitë e tyre. Një prej hapave që i kemi bërë, ka qenë vlerësimi përmes Capture the Flag. E kemi përzgjedhur një thënie shumë të mirë që mënyra më e mirë për të mësuar në sigurinë kibernetike është përmes thyerjes se gjërave, por në mënyrë të përgjegjshme”, potencoi Musa.
Në kuadër të konferencës “SHEcurity & Hackathon 2025”, u mbajt edhe një panel me temën “Fuqizimi i bashkëpunimit ndërmjet industrisë dhe akademisë”.
Përmes aktiviteteve praktike dhe diskutimeve të hapura, studentët dhe profesionistët patën mundësinë të përfitojnë njohuri konkrete dhe inspirim për të kontribuar në një sektor gjithnjë e në rritje.
Krejt në fund, u bë edhe ndarja e mirënjohjeve për fitueset e “SHEcurity & Hackathon 2025”, nga dekani i FIEK-ut, Isak Shabani.