Shefi i BE-së e vlerëson organizimin e zgjedhjeve

 

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka vizituar qendrën e votimit në shkollën fillore “Dardania”, ku është njoftuar nga afër me procedurat e procesit zgjedhor në një qendër të votimit dhe në vendvotim, me ç’rast e ka quajtur impresionues organizimin e zgjedhjeve në Kosovë.

Ai ka porositur qytetarët e Kosovës që të respektojnë masat antiCOVID, teksa ka thënë se është ende herët për të dhënë një konkludim lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që po mbahen sot.

“Edhe pse moti është sfidues ne kemi dal për të monitoruar zgjedhjet. Deri tash është vështirë të japim një konkludim konkret por mund të shoh se njerëzit nëpër qendrat e votimit kanë njohuri për procesin dhe dinë çfarë po bëjnë, janë të vetëdijshëm për rëndësinë. Organizimi i zgjedhjeve është bukur impresonues. Natyrisht kemi parë se ka edhe vështirësi për shkak të pandemisë COVID-19 dhe të gjitha masave që duhet të ndërmerren lidhur me pandeminë. Kam dëshirë t’iu them të gjithë atyre që duan të votojnë që ai ose ajo duhet t’i respektojnë masat kundër pandemisë”, ka thënë ai.

Ai ka paralajmëruar se do të ndjek nga afër procesin e votimit edhe në regjione tjera. Nga përshtypjet e para që ka marrë në shkollën “Dardania” në Prishtinë, Szunyog u shpreh optimist se kushtet atmosferike nuk do të pengojnë qytetarët që të dalin për të votuar.

“Ne jemi interesuar për pjesëmarrjen e votuesve në këto zgjedhje. Natyrisht këtu në Prishtinë qasja është më e lehtë në vendvotime, por deri më tani kemi parë se kushtet atmosferike nuk kanë pasur efekt negativ në daljen e qytetarëve për të votuar. Por, prapë do të na duhet të presim gjatë ditës për të parë sa do të jetë pjesëmarrja në këto zgjedhje. Gjithashtu planifikojmë që të dalim dhe jashtë Prishtinës, të shikojmë sesi regjionet tjera po votojnë. Kushtet atmosferike janë të vështira por ne do të tentojmë të dalim për të monitoruar edhe regjionet tjera”, ka shtuar ai.

Në shkollën fillore të mesme të ulët “Dardania” në Prishtinë të drejtë vote kanë 11 mijë e 558 persona.

Back to top button