Shefi i Wagner-it zotohet t’ia dorëzojë Bakhmutin ushtrisë ruse deri në qershor

Kreu i grupit mercenar rus Wagner është zotuar të transferojë kontrollin e qytetit ukrainas të Bakhmut tek ushtria ruse deri më 1 qershor.

Themeluesi i Wagner, Yevgeny Prigozhin, pretendoi se kishte kapur Bakhmutin të shtunën, por Kievi thotë se ende kontrollon pjesë të qytetit.

Ukraina thotë se trupat e saj janë ende duke përparuar në periferi të Bakhmut.

Por Prigozhin tha se trupat e tij do të fillojnë t’ia dorëzojnë qytetin ushtrisë ruse të enjten, raporton BBC.

“Wagner do të largohet nga Artemovsk nga 25 maji deri më 1 qershor”, tha Prigozhin në një regjistrim audio në Telegram.

Bakhmut ishte i njohur më parë si Artemovsk, për nder të një revolucionari sovjetik, përpara se Ukraina ta riemëronte.

Ai tha se Wagner kishte vendosur “linjat e mbrojtjes” në perëndim të qytetit përpara transferimit.

Por zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, përsëriti se forcat e saj kanë ende një pikëmbështetje të vogël brenda qytetit dhe po përparojnë në periferi, duke shtuar se “intensiteti” i lëvizjes së tyre ishte zvogëluar.

Ajo më vonë shkroi në një postim në Telegram se trupat ukrainase ende kontrollonin “disa objekte private dhe sektorin privat në zonën ‘Litak'” të qytetit.

Analistët thonë se Bakhmut ka pak vlerë strategjike për Moskën, por kapja e tij do të ishte një fitore simbolike për Rusinë pas betejës më të gjatë të luftës në Ukrainë deri më tani.

Mercenarët e Wagner kanë përqendruar përpjekjet e tyre në qytet për muaj të tërë dhe taktika e tyre e pamëshirshme dhe e kushtueshme e dërgimit të valëve të njerëzve duket se ka gërryer gradualisht rezistencën e Kievit.

Back to top button