Shënohet Dita Ndërkombëtare e Vetëdijësimit për Çrregullimin e Spektrit të Autizmit

Me shprehjet, “Autizmi është veçanti, nuk është uniformë”, “Fëmijët me autizëm nuk ju injorojnë, ata presin të hyni në botën e tyre”, “Autizimi thërret: Bëjeni Ligjin për Gjithëpërfshirje”, fëmijët bashkë me kryeministrin Albin Kurti, përfaqësues të shoqatës “Autizmi” dhe përfaqësues nga Komuna e Prishtinës, sot dekoruan pemën afër qeverisë, ku u shënua edhe Dita Ndërkombëtare e Vetëdijësimit për Çrregullimin e Spektrit të Autizmit.

Kryeministri Albin Kurti u zotua se do të punojnë më shumë për mbrojtjen, promovimin dhe jetësimin e të drejtave të njeriut në përgjithësi.

“Ne zotohemi për përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e të gjitha obligimeve tona për mbrojtjen, promovimin dhe jetësimin e të drejtave të njeriut në përgjithësi e në veçanti në respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara”, tha Kurti.

Ai bëri thirrje institucioneve që të punësojnë sa më shumë persona me aftësi të kufizuar.

Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama u shpreh se duhet më shumë punë në këtë drejtim.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës për Autizëm, Cen Krasniqi tha se institucionet qeveritare duhet të bëjnë më shumë për fëmijët me autizëm.

Back to top button