Shënohet rënie e numrit të ndërmarrjeve të regjistruara

 

Në tre mujorin e dytë 2020 janë regjistruar 2.033 ndërmarrje ose 12.03% më pak në krahasim me tremujorin paraprak, derisa krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak ka rënie prej 23.4%, ka bërë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Në raportin mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë thuhet se sa u përket aktiviteteve ekonomike, më të preferuarat gjatë këtij tremujori ishin tregtia me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 488 ndërmarrje të regjistruara (24%); ndërtimtaria me 328 (16.1%); prodhimi me 309 ndërmarrje të regjistruara (15.2%), etj.

Në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 1.963 ndërmarrje të regjistruara në këtë tremujor (96.6%); me 5-9 të punësuar janë 53 (2.6%); me 10-19 të punësuar janë 11 ndërmarrje (0.5%); me 20-249 të punësuar 6 ndërmarrje (0.3%), ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar, nuk ka ndonjë ndërmarrje të regjistruar gjatë këtij tremujori.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara, në nivel të komunave prinë Prishtina me 551 ndërmarrje të regjistruara (27.1%); Ferizaj me 164 (8.1%); Prizreni 153 (7.5%); Peja 127 (6.2%); Gjilani 110 (5.4%); dhe Gjakova me 108 ndërmarrje të regjistruara (5.3%).

Komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tre mujor.

Back to top button