Shërbimi Korrektues nuk deklarohet për 300 qelitë që i kërkon Danimarka në Kosovë

Mbrëmë është raportuar se Danimarka ka nënshkruar marrëveshje me Kosovën për të marrë hua 300 qeli në burgjet e Kosovës, por, për arritjen e kësaj marrëveshje nuk dihet nëse Kosova ka kapacitete të mjaftueshme.
Portali rtv21.tv kontaktuar me zëdhënësin e Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), Florent Gashi, për të parë nëse mund të jenë në dispozicion 300 qeli burgu për shtetin danez, por Gashi tha se nuk mund të përgjigjet për këtë çështje pasi kjo po trajtohet nga Ministria e Drejtësisë.
Portali rtv21.tv po ashtu ka kontaktuar edhe Ministrinë e Drejtësisë, mirëpo e njëjta ende nuk është përgjigjur.
Ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Nick Haekkerup, ka treguar për marrëveshjen e arritur, ndërsa ka thënë se do të rriten edhe kapacitetet në burgjet në Danimarkë.
“Në mesin e tjerave, ne jemi pajtuar se duhet bërë punë për të marrë me qira vende burgu në Kosovë për deportim të të dënuarve nga shtetet e treta. Dhe po zgjerojmë vendet në burgjet në Danimarkë si periudhë afatshkurte ashtu edhe afatgjate”, ka thënë Haekkerup./21Media

Back to top button