Shkarkohen tre zyrtarë shqiptarë në Zyrën për Komunitete dhe Kthim në Mitrovicë të Veriut

Tre punëtorë shqiptarë të angazhuar si zyrtarë për Komunitete dhe Kthim në Komunën e Mitrovicës së Veriut janë larguar nga puna, ndërsa ata e kanë cilësuar vendimin si “politik, diskriminues” dhe të bazuar në kuota etnike.
“Kjo është politike dhe diskriminuese, pozita ime ka qenë zyrtare për Komunitete dhe Kthim”, ka deklaruar njëri nga zyrtarët për KosovaPress, i cili nuk u prononcua me emër dhe mbiemër.
Ai ka thënë se janë pranuar në punë përmes konkursit të hapur dhe se procedurat kanë qenë të rregullta.
“Jemi pranuar me procedurë të rregullt dhe konkurs të hapur… konkursi ka qenë i hapur për të gjithë, nuk ka cekur askund a duhet me qenë shqiptar, serb apo boshnjak për me apliku”, është shprehur ai.
Sipas tij, vendimi për largim është arsyetuar me mosrespektimin e kuotave etnike.
“E kjo është me arsye që jemi larguar nga puna se kemi qenë më shumë shqiptarë se komunitetet tjera”, ka thënë ai.
Zyrtari ka deklaruar se kontratat i kanë pasur me afat të pacaktuar, me periudhë provuese gjashtëmujore, por se nuk janë vlerësuar siç parashihet me ligj.
Ai ka pretenduar se nuk kanë marrë njoftim paraprak me shkrim, ndërsa vendimi u është dorëzuar vetëm ditën e largimit.
“Jo more sen s’na ka lajmëruar… me shkrim asgjë nuk kemi pranuar… Njoftimi për largimin nga puna ana është konfirmuar qat ditë që veç jemi larguar dhe na ka ardh vetëm vendimi”, ka deklaruar ai.
Në vendimin e lëshuar nga kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut thuhet se “procesi i rekrutimit për këtë zyrë ka qenë jotransparent dhe në kundërshtim të hapur me legjislacionin në fuqi, pasi nuk është respektuar vendimi i lartcekur i Kuvendit Komunal i cili përbën akt juridik obligativ për organet komunale”.
Tutje, në të njëjtin vendim theksohet se “në një qytet me përbërje të theksuar multietknike, një veprim i tillë përbën cenim të parimit të përfaqësimit të barabartë të komuniteteve dhe shkelje të drejtpërdrejtë të dispozitave ligjore dhe nënligjore që rregullojnë qëllimin, kompetencat dhe funksionimin e kësaj zyre”.
Largimin nga puna e ka konfirmuar edhe personi me inicialet R.U për KosovaPress, e cila ka thënë se bashkë me dy kolegë janë shkarkuar më 26 të këtij muaji, pa paralajmërim.
“Kam qenë e angazhuar unë dhe bashkë me dy kolegë që na kanë larguar prej pune si zyrtare për Komunitet dhe Kthim, në komunën e Mitrovicës së Veriut. Kemi filluar në vitin 2025, ka qenë periudha provuese 6 muaj pa afat të caktuar, me 26 na kanë shkarkuar, jo për 15 ditëshin nuk kemi pasur lajmërim prej tyre veç na ka ardh qaj vendimi nga kryetari i komunës”, ka deklaruar R.U.
Ajo ka shtuar se në konkurs nuk është specifikuar se sa pjesëtarë të secilit komunitet do të pranoheshin.
“Nuk ka pasur të cekur asgjë prej cilit komunitet me u pranu… ne i kemi plotësuar kushtet unë bashkë me kolegët e mi, dhe jemi pranuar në procedurat të rregullta”, ka thënë ajo.
Zyrtarja ka thënë se e konsiderojnë largimin si të kundërligjshëm dhe paralajmëron ndjekje të rrugëve ligjore.
“Na kanë larguar prej pune jashtëligjshëm edhe jemi të gatshëm me vazhdu me procedura ligjore” ka deklaruar ajo.
Ndërkaq, Xhevdet Haxhiu, shef i Zyrës për Komunitet dhe Kthim, tha për KosovaPress se nuk ka qenë prezent gjatë konkursit, por sipas informacioneve të tij, kandidatët për pozitat ishin kryesisht shqiptarë dhe vetëm një kandidat nga komuniteti turk ishte pjesë e procesit.
“Me sa e di unë dhe informatat që i kam aty nuk ka pasur aplikantë të tjerë, prapë me sa e di një ka qenë i komunitetit turk dhe ka qenë shumë i doptë dhe të tjerët kanë qenë të gjithë shqiptarë”- tha Haxhiu.
Sipas tij, bazuar në vendimet e vitit 2023, struktura etnike për pozitat e zyrës ka qenë 3 shqiptarë, 2 boshnjakë, 1 i komunitetit rom,1 serb dhe 1 turk. Ai potencoi se largimi është bërë sipas vendimit të kryetarit, të cilin e konsideron “arbitrar”.
Kujtojmë se gjatë javës së kaluar nga puna janë larguar edhe 2 zyrtarë në komunën e Zvecanit, me arsyetimin e përmendura për mungesën e vlerësimit, trajnimeve dhe buxhetit. A.Pllana./kp