Sveçla publikon emrat e serbëve që kishin laboratorë droge në veri
(Lajm i përditësuar)
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla pas aksionit të Policisë së Kosovës në veri të vendit, ku janë shkatërruar tre laboratorë droge, ka thënë se disa ministra në Serbi dhe zyrtarët e Listës Serbe janë trazuar këtë të diele.
Sveçla ka publikuar edhe emrat e pronarëve të tre laboratorëve që janë Miljan Delevic, Ivan Slavic, Dusan Slavic e Nikola Filgjokic, e të cilët sipas ministrit Sveçla, janë të përfshirë në sulmet ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës, në ngritjen e barrikadave e në kërcënimet e sulmet ndaj serbëve që kanë refuzuar të bashkëpunojnë me ta.
“Qenkan trazuar këtë të diel Lista Serbe dhe Petkovic me disa reagime. Çështja në fjalë është e thjeshtë. Me laboratorë droge, trafikantë e kriminelë si mjete politike, fasada e rrejshme nuk zgjatë më shumë se deri te aksioni i radhës i Policisë së Kosovës. 8 laboratorë droge janë shkatërruar brenda mandatit tonë, vetëm sot janë shkatërruar 3 sosh. Pronarët e tyre: Miljan Delevic, Ivan Slavic, Dusan Slavic e Nikola Filgjokic, janë të përfshirë në sulmet ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës, në ngritjen e barrikadave e në kërcënimet e sulmet ndaj serbëve që kanë refuzuar të bashkëpunojnë me ta. Pas sulmit ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës këta janë vizituar nga Ministri i Mbrojtjes i Serbisë Milos Vucevic, nga Petkovic ndërsa mbështeteshin e mbroheshin nga Lista Serbe e Milan Radojciq. Ministrat e Serbisë të përfshirë në këto instrumentalizime me banda kriminale sonte do të dëshironin mos të ekzistonin këto foto e video. Por ato ekzistojnë dhe janë dëshmi e fortë se çfarë fshihet pas “politikës” së tyre”, ka shkruar ai në Facebook.
Shkatërrohet dhe laboratori i tretë i drogës në Veri
Sveçla ka njoftuar se vlera e llogaritur e sasisë së lëndës narkotike dhe pajisjeve është rreth 2.3 milionë euro.
Shkatërrohen dy laboratorë droge në veri, arrestohen tre persona
Dy laboratorë droge janë shkatërruar sot nga Policia e Kosovës në Mitrovicë të Veriut, si dhe tre persona janë arrestuar, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Këto pra janë strukturat kriminale që po i mbrojnë zellshëm Vuciç e Petkoviç. Çdo tentativë e Serbisë që përmes bandave kriminale të destabilizojë Kosovën është e kotë dhe e dështuar”, shkroi Sveçla në Facebook.
Shkatërrohet një laborator droge në Mitrovicë të Veriut, arrestohet pronari
Policia e Kosovës ka identifikuar dhe shkatërruar një laborator droge në Mitrovicë të Veriut me ç’rast është arrestuar pronari i këtij laboratori. Kështu ka bërë të ditur Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai ka konifrmuar se bashkëpronar i laboratorit tashmë të shkatërruar është personi i cili sulmoi Policinë e Kosovës në Urën e Bistricës muajin e kaluar ndërsa njëri nga të arrestuarit në këtë operacion është edhe vëllau i tij.
“Sot Policia e Kosovës në kuadër të detyrave të saj në zbatim të ligjit, ka identifikuar dhe shkatërruar një laborator droge në Mitrovicë të Veriut me ç’rast është arrestuar pronari i këtij laboratori.Pavarësisht angazhimeve të policisë, kriminelët ende po mendojnë se mund të vazhdojnë me shkeljen e ligjit dhe kundërligjshëm të pasurohen në kurriz të sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve.Bashkëpronar i laboratorit tashmë të shkatërruar është personi i cili sulmoi Policinë e Kosovës në Urën e Bistricës muajin e kaluar ndërsa njëri nga të arrestuarit në këtë operacion është edhe vëllau i tij.Këto pra janë strukturat kriminale që po i mbrojnë zellshëm Vucic e Petkovic. Çdo tentativë e Serbisë që përmes bandave kriminale të destabilizojë Kosovën është e kotë dhe e dështuar.Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar maksimalisht që jo vetëm me institucionet e sigurisë por edhe me gjithë shoqërinë të luftojë çdo fenomen negativ dhe të forcojë shtetin e ligjin”, ka shkruar Sveçla në Facebook./21Media