Shkelje e Ligjit të Punës nga ana e institucioneve të Kosovës

OAK ka analizuar Projektligjin e Punës

Shkelja e Ligjit të Punës nga ana e institucioneve të Kosovës, konkretisht orari i punës, ishte qëllimi i konferencës së organizuar gjatë ditës së sotme nga Oda e Afarizmit të Kosovës.

Anëtari i Bordit të OAK-ut, Hamdi Malushaj tha se Oda e Afarizmit të Kosovës ka analizuar në detaje Projektligjin e Punës dhe ka evidentuar disa pika të cilat shihen si problematikë dhe janë në kundërshtim me njëra-tjetrën, duke ndikuar që dispozitat e këtij ligji të kenë implikime negative si në sektorin publik ashtu edhe atë privat.

“Si çështje shumë të rëndësishme theksojmë orarin e punës, ku në Ligjin aktual, Neni 20 i përcaktimit të orarit të punës, thekson që: Orari i punës nënkupton periudhën kohore, gjatë së cilës i punësuari kryen punë ose shërbime në të mirë të punëdhënësit dhe orari i plotë i punës zgjatë 40 orë në javë, nëse me këtë ligj nuk është përcaktuar ndryshe. Ndërsa, Neni 28 që rregullon pushimet dhe mungesat nga puna thekson që: Koha e pushimit nga paragrafi 1. dhe 2. i këtij neni, konsiderohet si kohë e kaluar në punë”, deklaroi Malushaj.

Ai shtoi se këto dy pika janë në kundërshtim me njëra-tjetrën sepse nëse orari i punës është koha gjatë së cilës i punësuari kryen punë ose shërbime në të mirë të punëdhënësit, atëherë koha e pushimit nuk duhet të konsiderohet si ore pune.

Anëtari i OAK-ut tha se kanë bërë krahasime me vendet e evropiane si Austria, Finlanda, Gjermania, Franca, Bosnja dhe Hercegovina etj. të cilat pushimin nuk e konsiderojnë orë pune.

“Institucionet dhe ndërmarrjet publike punojnë me orarin 08:00 – 16:00, me një orë pushim, e që i bie vetëm 7 orë në ditë, përkatësisht 35 orë në javë, e jo ashtu siç është e përcaktuar me Ligj 40 orë, në një rast të tillë, dëmtohet buxheti i shtetit dhe qytetarët”, theksoi ai.

Malushaj e sqaroi edhe me fakte duke treguar orët dhe milionat që shteti i Kosovës pëson humbje.

“Paga mesatare në sektorin publik është rreth 600 euro, që do të thotë rreth 3.75 euro për orë pune. Në Kosovë punohet 237 ditë në vit, përkatësisht 1896 orë gjatë vitit dhe sipas tij nëse llogarisim humbjet që pësojmë si pasojë e kësaj kemi 237 orë humbje, me rreth 100 mijë të punësuar në sektorin publik, pra rreth 88 milionë euro krijohen humbje financiare nga të punësuarit në sektorin publik”, vijoi ai.

Duke folur për sektorin privat, Malushaj tha se aty janë rreth 250 mijë të punësuar, me pagë mesatare rreth 400 euro, përkatësisht 2.5 euro për orë dhe sipas kësaj në sektorin privat krijohen humbje rreth 74 milionë euro. Sipas tij, gjithsej në vit humbim mbi 162 milion euro si pasojë e kësaj çështjeje.

Oda e Aafarizmit të Kosovës konsideron që koha e pushimit të punonjësit nuk duhet të llogaritet si orë pune por si pushim, që do të thotë janë vetëm 35 orë në javë pune, e jo siç është e përcaktuar me ligj 40 orë në javë. Në vendet e BE-së pushimi nuk llogaritet si orë pune.

Ndërsa Qëndresa Ibrahimi, koordinatore në OAK, tha se ata janë duke e analizuar në vazhdimësi në detaje Projektligjin e Punës, i cili është aktualisht në Kuvend, ku për këtë çështje i jemi drejtuar edhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale por e cila nuk ka treguar gatishmëri për bashkëpunim.

“Ne si OAK kërkojmë me insistim që ky projektligj të mos votohet dhe të kthehet në Qeveri, në mënyrë që të rregullohen dispozitat e paqarta dhe të kemi një ligj të mirëfilltë që do t’i shërbejë si të punësuarve ashtu edhe punëdhënësve”, deklaroi ajo.

Back to top button