SHKK mohon raportimet për mungesë kapacitetesh: Rreth 800 shtretër të lirë në institucionet korrektuese

Pas raportimeve për mungesën e kapaciteteve në institucionet korrektuese për t’i dërguar komisionerët e arrestuar sot në Prizren, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka dalë me një njoftim.

Sipas Shërbimit Korrektues, aktualisht në institucionet e tij mbahen gjithsej 1 mijë e 758 të burgosur.

Njoftimi thekson se pretendimet për mungesë kapacitetesh nuk qëndrojnë, dhe institucionet kanë hapësira të mjaftueshme për pranimin e rasteve të reja. Po ashtu, Shërbimi Korrektues dhe Policia e Kosovës kanë marrëveshje mirëkuptimi për bashkëpunim, që mund të përfshijë përdorimin e përkohshëm të objekteve të njëra-tjetrës, sipas nevojës.

Njoftimi i plotë:

Pas informacioneve që po qarkullojnë në disa media lidhur me mungesën e kapaciteteve në institucionet korrektuese, njoftojmë opinionin publik se në institucionet korrektuese të Shërbimit Korrektues të Kosovës aktualisht janë në mbajtje gjithsej 1 758 të burgosur.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka kapacitete të lira rreth 800 shtretër, prandaj pretendimet për mungesë kapacitetesh nuk qëndrojnë. Institucionet korrektuese kanë hapësira të mjaftueshme për pranimin e rasteve të reja.

Ky njoftim bëhet me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik dhe parandalimit të keqinformimit.
Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Policia e Republikës së Kosovës kanë marrëveshje mirëkuptimi për bashkëveprim institucional, në kuadër të së cilës, varësisht nga situatat e krijuara, mund të shfrytëzohen përkohësisht objektet e njëra-tjetrës.

Back to top button